AAK-ja përshëndet shitjen e PTK-së

Partia e Ramush Haradinajt, AAK, ka folur sikur Qeveria për shitjen e PTK-së në vlerë prej 242 milionë euro për një kompani gjermano-amerikane. Nëpërmjet një komunikate, 24 orë pas publikimit të ofertave, AAK ka konstatuar se shitja e PTK-së paraqet një zhvillim të ri në proceset ekonomike të Kosovës.

“AAK shpreson që ky transaksion të jetë mesazh për investitorë të tjerë seriozë, nga të dyja këto vende, por edhe nga vende të tjera, për investime të jashtme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e AAK-së, transmeton Express.

Sipas partisë së katërt në Kosovë investimet e huaja janë të domosdoshme për Shtetin dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

“AAK konsideron se në rrethanat në të cilat gjendet Kosova, procesi i privatizimit nuk ka alternative, por në të njëjtën kohë kërkon nga Qeveria e Kosovës që këtë dhe procese të tjera ekonomike t’i zbatojë konform ligjit dhe në transparencë të plotë”, thuhet në njoftim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndodhet në opozitë prej vitit 2007, ndërsa kohëve të fundit ka pasur qëndrime të njëjta sikur me partitë në pushtet.

Madje, në disa raste, AAK nuk u është bashkuar nismave të dy partive tjera opozitare, LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat e kanë kundërshtuar privatizimin e PTK-së dhe kanë kërkuar të rikthehet procesi prej fillimit. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button