Pas bukës, është edukimi për fëmijët tanë

Edukimi dhe arsimimi është buka e shpirtit dhe e mendjes. Në këtë kohë që po jetojmë, më shumë se kurrë, na duhet dhurata dhe dhurata më e mirë është shëndeti. U kam folur shpesh nxënësve të mi se, ku ka pastërti, ka shëndet dhe se ushqimi i llojllojshëm, me vitamina e proteina, i bën mirë shëndetit tonë. Kur je i shëndetshëm, je i pasur. Kur je i arsimuar, poashtu ke të shtrenjtën pasuri, diturinë. Mësimet, ndërvite kanë dhënë rezultate te gjeneratat e ndryshme. Mësimdhënia, ka patur barriera të shumta, sa që i kemi sfiduar, sidomos ne brezat më të vjetër. Vështirësitë e arsimit shqip, nuk mendoj se e kanë lodhur arsimdashësin, por besoj se na kanë forcuar. Nuk ka asgjë në botë që ka mundur dhe mund të vras shpirtin e një njeriu që lufton për liri, për arsimim dhe për të arritur të ndërtosh gjenerata të arsimuara, përplot dije. Ndonëse, erdh kjo gjendje, e brishtë, pandemie, që na shkëputi nga objektet e shkollës, por jo nga pasioni – dëshira dhe ëndrra, për t’i edukuar brezat e rinj. Një kohë të gjatë, ashtu siç edhe na duket ose siç e themi që koha është e shtrenjtë për edukim e arsimim, na u mundësua mësimi në distancë. Për botën e moderuar, kjo metodë e mësimdhënies është e pranueshme. Për ne që s’i ndahemi dot shkollës, vrapit për në klasë dhe mësimit klasik, ka qënë sa dukuri e re, po aq kemi patur nostalgji për klasën, dërrasën e zezë, shkumësin, kapjen e dorës së fëmijës, për ta mbajt lapsin, e shumçka. Kur e dijmë vlerën e shkollës, askush nuk mund të na bind t’a ndjejmë të kundërtën. Pas dy viteve distancë, me nxënësit tanë, jepet një lajm i ri, që shkollat do të hapen. Dhe ky hap, do të na shtyjë të hapërojmë edhe ne të gjithë. Vitin e kaluar përcolla edhe një gjeneratë, në dyzet vite punë, për në klasat më të larta, për mësime të mëtutjeshme. Sa gëzim të nxjerrësh edhe një gjeneratë, edhe një gjeneratë tjetër, sikur përgadit një ushtri, për një front lufte, domosdo përballë sfidave të jetës. Nxënësve të mi, të shtrenjtë, nuk arrita t’u fal përshëndetjet, mbështjellur me përqafime. Por, akoma kundërmon në dhomën e shtëpisë sime aroma e luleve dhe syri gjithmonë ka ndalur shikimin te dhuratat simbolike e nxënësve, të kujdesshëm. Më bëhet, sikur pushoj mendjen e të çmallem. Mendimet më kanë dërguar edhe te ata nxënës që kanë patur vështirësi në mësim dhe nga jeta. Mësimnxënia dhe distanca e tyre me mësuesen, nuk ka qenë e dobishme. Nëse prindërit mundohen t’u sigurojnë fëmijëve ushqim dhe çati, ne mësimdhënësit përpiqemi t’u sigurojmë përgjithmonë dijen, t’u lehtësojmë arsimimin. Ditët që vijnë, janë ditët tona, janë dritë për fëmijët tanë. Është gëzim i nxënësve dhe i mësimdhënësve, i prindërve dhe i mbarë vendit. Edukimi dhe arsimimi fitohet në shkolla. Kuptohet që, rol të rëndësishëm ose siç thuhet, shkollë është nëna edhe gjyshja. Por, të bëjmë përpjekje ne, të gjithë sëbashku, që t’u hapim horizonte të reja brezave të rinj. Përkushtimi i mësimdhënësit, një fëmijë i vëmendshëm, një prind i kujdesshëm, një libër e një laps, mund të ndryshojë botën, pra edhe këtë botë që vlon shpesh nga e keqja. Ne të gjithë njerëzit e arsimit jemi ndje të izoluar, me ditë e vite, por edhe e luftojmë ‘burgun’, për t’u hap shkollat. Pandemia na i mbylli shkollat, por të jemi ne ata që do të luftojmë, qoftë edhe gjatë kohe. Se, siç ka thënë njeriu i letrave shqipe, “ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”. Për popullin, pra, kombin tonë, do të duhet të mos e shkatërojmë arsimin, që të nesërmen ta kemi më të ndritur. Dhe për ta ndriçuar fatin e brezave të rinj është arsimi, është shkolla.

Autorja është mësimdhënëse në shkollën “Penestia” – Dibër

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button