Ministri Xhaferi në Afganistan përkrah ushtarët e Maqedonisë

Një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes, i udhëhequr nga ministri Talat Xhaferi, në përbërje të të cilit është edhe gjenerali i brigadës Stojan Dimçov, gjendet për vizitë te paqeruajtësit e ARM-së, të cilët janë pjesë e forcave ISAF, në Afganistan.

Kjo është vizita e parë e ministrit Xhaferi te kontingjenti i Maqedonisë në ISAF nga emërimi i tij në funksionin ministër i Mbrojtjes.

Gjatë vizitës, ministri Xhaferi realizoi takime me zëvendës-komandantin e forcave ISAF, gjeneral-lejtnant Nik Patrik Karter dhe zëvendës-senior përfaqësuesin kombëtar të NATO-s, Endrju Shtajnfild, ku u bisedua mbi progresin e proceseve demokratike në Afganistan, kapacitetet e forcave të sigurisë afgane, si dhe mbi planin e transformimit të misionit.

Siç kumtoi sot Ministria e Mbrojtjes, në takimin ministri Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë i mbështet plotësisht përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar një ardhmëri stabile dhe të sigurtë demokratike për Afganistanin dhe shtoi se vendi ynë është i gatshëm që sipas nevojës së Aleancës dhe mundësive vendore, të marrë pjesë në misionin e ri dhe të vazhdojë të jep kontributin e padiskutueshëm në avancimin e shoqërisë afgane edhe pas vitit 2014.

Ministri Xhaferi do të realizojë takim edhe me paqeruajtësit e ARM-së ku do të shpreh mirënjohjen e tij për njohuritë, shkathtësitë dhe profesionalizmin e treguar gjatë kryerjes së detyrave të caktuara, dhe në ndërkohë do t’ju jep përkrahje që ata edhe më tej të vazhdojnë të ndërtojnë imazhin e Armatës së Republikës së Maqedonisë si një nga fundamentet e sigurisë dhe zhvillimit, në suaza globale.

Në aspekt të kontributit kombëtar deri sot, Republika e Maqedonisë është njëra nga kontribuesit më të mëdhenj në Afganistan, për krye banori, me çka „de fakto“ konfirmohet angazhimi ynë i fuqishëm për demokratizimin e vazhdueshëm të shoqërisë afgane, si the për vendosjen e vlerave bashkëkohore në nivele globale.

Për momentin, në kuadër të forcave ISAF, ARM merr pjesë me gjithsej 153 persona të shpërndarë nëpër më shumë detyra  – sigurimin e Komandës së ISAF në Kabul, si dhe në trajnimin e Armatës Kombëtare të Afganistanit. Kontingjentet nga Armata e Republika së Maqedonisë janë pjesë e forcave ISAF në Afganistan nga viti 2002 (kur u dërguan 2 oficerë në kuadër të kontingjentit turk). Në numër, deri tani si pjesë e këtyre forcave kanë qenë 2.329 paqeruajtës nga Maqedonia. Pjesëmarrja e ARM-së në ISAF ka qenë kontributi i parë i Republikës së Maqdonisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jashtë kufijve të vet.

Lajme të ngjashme

Back to top button