Ali Ahmeti: durimi ka fund, koha për të zgjidhur çështjen e emrit

Patëm durim, kuptim për ndjenjat e shumicës, për ndjeshmërinë  dhe përgjegjësinë e partnerëve tonë qeveritar, por edhe mirëkuptim regjional dhe ndërkombëtar. Por, ka ardhur momenti kur nuk duhet të na mungojë  guximi dhe vendosja për të vepruar sipas përgjegjësisë tone që ta mënjanojmë çdo pengesë për tu bërë pjesë e aleancës Atlantike veriore. Kështu shkruan lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një kolumnë botuar sot në tre gazeta të vendit me titull “Koha për NATO”.

Mes tjerash ai thotë se “nuk bëhet fjalë për dilemën a duhet të lëvizim drejt integrimeve Euro-Atlantike” duke theksuar se “madje, edhe nesër është vonë, më duket mua…Për ne, ky vendim nuk mund të ketë alternativë” shkruan lideri i BDI-së Ahmeti.

Zgjedhjet i komenton si proces që ka sjellë një moment më të relaksuar dhe sipas tij, fitimtarë janë të gjithë. 

“Edhe pse ende nën impresionon e rezultateve, kalkulimeve dhe analizave të ndryshme kush dhe ku ka fituar ose humbur, ndoshta nuk është herët të thuhet se, në fakt, kanë fituar që të gjithë” shkruan Ahmeti.

Kolumna në vijim:

Zgjedhjet e fundit në Maqedoni, me qetësinë e tyre, sollën një moment më të relaksuar.

Edhepse ende nën impresionin e rezultateve, kalkulimeve dhe analizave të ndryshme kush dhe ku ka fituar ose humbur, ndoshta nuk është herët të thuhet se, në fakt, kanë fituar që të gjithë. Kjo, po të mirret parasysh edhe momenti i ri i krijuar kur tashmë duhet shfrytëzuar hapësira e krijuar për të sjellur vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Maqedoninë.

Pas dy dekadash të pavarësisë së Maqedonisë nga federata Jugosllave, 20 vite nga anëtarësimi në OKB dhe 12 vite nga Marrëveshja e Ohrit dhe pas një tranzicioni të sukseshshëm ku është tejkaluar shumëçka, besoj që tash është koha për vendime të mëdha.

Edhe nga përvoja ime personale, e di që angazhimet për ndryshime rënjësore jo rallë janë dekurajuese në shikim të parë. Ato mund të konfuzojnë qytetarët dhe shpesh herë, analistët dhe komentuesit, duke u munduar që të interpretojnë këto lëvizje të mëdha, mundohen të nxjerrin intepretime nga më të ndryshmet për atë se a është në interes të vendit e popullit ky apo ai hap i “nxituar” apo “i vonuar”… Jo rallë debate të këtilla tek ne nganjëherë shpiejnë deri tek teoritë e komplotit, që aq shumë i karakterizon ballkanasit.

Për mua, dhe besoj edhe për shumicën që ja duan të mirën popullit dhe këtij vendi, si dhe paqës në rajon, nuk bëhët fjalë për dilemën a duhet të lëvizimin drejt integrimeve Euro-Atlantike. Madje, edhe nësër është vonë, më duket mua.

Nëse dikush thirret në emër të pjekurisë, patriotizmit, interesit qytetar, racionalitetit dhe pse jo edhe përcaktimit identitar, atëherë them se nuk duhet të kemi më asnjë dilemë që mu tash është momenti që Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj së bashku me vendimmarrësit të bëjnë hapin e duhur.

Për dikë, kjo mund të jetë sensitive, e kalkulueshme, çështje identitare. Por, siç e theksova më lart, për një vend, është pjesë edhe e identitetit kah dëshiron të pozicionohet, me çfar vlerash dëshiron të jeton dhe të prezentohet. Për dikë që e udhëheq një parti, që jo pa qëllim e ka emrin Bashkimi Demokratik për Integrim, kjo nuk është një çështje që diskutohet. Për ne, një bashkim demokratik për integrime është vet esenca e angazhimit dhe botëkuptimit tonë politik. Por, kjo besoj që duhet të jetë edhe qëllim i përbashkët i qytetarëve të vendit.

Për çdo qëllim të madh, duhet edhe të mirret një vendim i madh. Dhe për të dyja këto, duhet kurajo. Një kurajo e përbashkët.

Ne kemi patur durimin, mirëkuptimin për ndjenjat e shumicës, për senzivitetet dhe përgjegjshmërinë edhe të partnerëve tanë politik bashkëqeverisës, por edhe të mirëkuptimit rajonal e ndërkombëtar.

Kemi pritur me një përgjegjësi dhe mirëkuptim. Por, ka ardhur momenti kur nuk duhet të mungoj guximi dhe vendimi që të bëhen të gjitha që janë në përgjegjësinë tonë për të hequr çdo pengesë që të jemi aty ku duhet të jemi: pjesë e Aleancës Veri-Atlantike.

Për ne, ky vendim nuk mund të ketë alternativë.

/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button