Salla “Boris Trajkovski” do të hapet sërish për vaksinim

Salla sportive “Boris Trajkovski” sërish do të hapet për vaksinim prej të mërkurës ose të enjtes, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Kjo po bëhet që të ulet trysnia ndaj pikave për vaksinim nëpër shtëpitë e shëndetit, ku në dy javët e kaluara ka turma dhe po vaksinojnë nga mbi 10.000 qytetarë në ditë. Vaksinimi masiv në sallën “Boris Trajkovski” filloi në prill, ndërkaq pika u mbyll në fund të muajit korrik, njofton Portalb.mk.

“Mirë po zhvillohet procesi i imunizimit në të gjitha pikat. Në pikat më të mëdha për vaksinim në Shkup, Bit Pazar, Jane Sandanski, Bukuresht dhe Gjorçe Petrov po punohet në dy  ndërrime, të shtunën në një, a në të gjitha qytetet tjera në pajtueshmëri me orarin e të punësuarve. Duke e pasur parasysh trusninë e madhe, të mërkurën, më së voni të enjten do të hapet sërish salla “Boris Trajkovski”, për çka një pjesë e shtëpive të shëndetit, të cilët ishin në pushime i kanë ndërprerë më herët që të vijnë dhe ta vendosin sallën në funksion. Tani do të jetë salla më e vogël, jo ajo e madhja, por do të ketë mbi 20 pika për vaksinim. Besoj se ajo do t’i shpërndajë turmat që i kemi para shtëpive të shëndetit”, deklaroi Filipçe.

Numri i të vaksinuar me të paktën një dozë, është 652.340, a tërësisht janë vaksinuar 499.934 qytetarë, deri në fund të ditës së djeshme. Ministria njoftoi se vetëm dje kanë pranuar dozë të parë të vaksinës 13.398 qytetarë, a gjithsej janë vaksinuar 17,099 qytetarë. Gjithsej janë aplikuar 1.152.274 doza të vaksinës.

Filipçe tha se janë të mbingarkuara spitalet e Tetovës dhe Gostivarit, por edhe pjesërisht në Kërçovë dhe Strugë. Klinika Infektive në Shkup është tërësisht e mbushur, me spitalin modular, por edhe Institutin për Tuberkulozë, a prej sot fillon të pranojë pacientë me COVID-19 edhe Spitali për Rehabilitim në Kozle.

I pyetur nëse do të vendoset karantinë në Tetovë dhe Gostivar, Filipçe tha se nuk ka paralajmërim të tillë, pasi që qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që të rritet numri i të vaksinuarve.

“I shqyrtojmë të gjitha këto masa dhe konkluza ishte se megjithatë ajo është kufizim i madh. E vendosim theksin te vaksinimi, përshirë edhe në këto qytete ku është numri më i madh i pacientëve, a njëkohësisht atje është përfshirja më e vogël e vaksinimit. Në qytetet tjera ku ka vaksinim më masiv, afërsisht 50%, nuk ka trysni të tillë ndaj spitaleve, shpresoj se ashtu do të mbetet”, tha Filipçe.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button