Kosovë, prej sot masa të reja kundër përhapjes së COVID-19

Kanë filluar së zbatuari në të gjithë territorin e Kosovës masat e reja kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), të miratuara nga Qeveria me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, pas rritjes së numrit të infektimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëtarë të policisë sot kanë dalë që nga mëngjesi në terren për t’u kujdesur nëse masat e reja po zbatohen nga qytetarët dhe bizneset e ndryshme.

Ata kanë dënuar rastet kur dy e më shumë qytetarë kanë qenë duke ecur bashkë në rrugë, por asnjëri nuk ka vendosur maskë.

Gjithashtu, Policia ka verifikuar pothuajse çdo autobus apo minibus për të verifikuar nëse udhëtarët kanë vendosur maska, në të kundërtën kanë tërhequr vërejtje apo kanë shkruar dënim.

Nga sot me vendimin e ri të Qeverisë nuk do të hapen më klubet e natës. Do të ndalohen ahengjet si: fejesat, dasmat etj., si dhe orari i gastronomisë do të shkurtohet deri në orën 22:30.

Përpos transportit publik qytetarëve nuk u lejohet as të futen në ambiente të mbyllura pa maskë.

Të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë duke përfshirë edhe qytetarët kosovarë, do t’ju kërkohet certifikata e vaksinimit, testi PCR negativ apo ai serologjik.

Në çdo aktivitet kulturor, sportiv, shoqëror, etj., pjesëmarrësit duhet të paraqesin një nga dëshmitë si: certifikatën e vaksinimit, testin PCR negativ, apo testin serologjik që dëshmon se ka mjaftueshëm antitrupa.

Para miratimit të masave të reja të mërkurë pasdite, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se përkundër që procesi i vaksinimit po shkon mirë “është e nevojshme të marrim masa të reja të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe në këtë mënyrë ta ruajmë shëndetin publik”.

Në total deri tani Kosova ka administruar mbi 650 mijë vaksina, ndërsa sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Kosova është në rrugën e duhur të zbatimit të objektivit për vaksinimin e 60 për qind të popullatës deri në fund të këtij viti.

Dy ditët e fundit Kosova shënoi shifra rekorde të të infektuarve të rinj brenda 24 orëve që nga fillimi i përhapjes së pandemisë, të martën me 2.110 raste të reja dhe të mërkurën me 2.236 raste, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në gjithsej 123.098 raste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button