Përçarje në Listën Serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të enjten (19 gusht) se të gjithë ata përfaqësues të serbëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës, të caktuara për 17 tetor dhe që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të shtetit të Serbisë. Ai ka shprehur mendimin se të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe, nuk do ta marrin besimin e popullit, raporton REL.

“Ne do të dalim (në zgjedhjet lokale të Kosovës) si të bashkuar, sepse ata që nuk janë të bashkuar në Kosovë dhe që nuk janë prapa Listës Serbe, vështirë se do të marrin besimin e popullit. Besimin duhet ta merrni në bazë të bashkimit dhe unitetit dhe jo në bazë të shembjes së asaj që ju ruan dhe që ua ruan identitetin dhe mbijetesën në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.

Kjo deklaratë e presidentit serb Vuçiq vjen pasi që Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ish-anëtar i partisë kryesore të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, si një kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë kjo me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës.

Lista Serbe tani e akuzon atë për “ndarje” të popullit serb në Kosovë, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, më herët ka dërguar porosi se vetëm kandidatët e Listës Serbe do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe shtetit të Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button