Derbi i Sevillas ndez Spanjën

Si rrallëherë vitet e fundit, dy skuadrat andaluziane të të njëjtit qytet, Real Betis dhe Sevilla vijnë në këtë përballje pothuajse si të barabarta. Bardhjeshilët e Pepe Mel renditen në vendin e shtatë të klasifikimit dhe ndeshja derbi ka vlerë të dyfishtë pasi përveç dëshirës për të dominuar ndaj kushërinjve të urryer, ata nuk duhet të humbasin as kontaktet me zonën Champions që ndodhet vetëm 4 pikë larg.
Nga ana tjetër, Sevilla, tashmë nën drejtimin e Unai Emery, kërkon Europa League dhe në këtë këndvështrim nuk i falen gabimet mbremjne e sotme në stadiumin “Benito Villamarín”.



Java e 31-të e Primera Division ofron të shtunën disa përballje interesante ku Valencia udhëton në fushën e Espanyolit për të vijuar rrugën drejt vendit të katërt që mbahet nga Real Sociedad me dy pikë më shumë. Ndërkohë, në garë vazhdon të qëndrojë edhe Malaga, e cila nuk do ta ketë të lehtë në transfertën e Osasunas, pas atij shoku psikologjik që pësoi në Dortmund ku kaloi nga Parajsa në Ferr brenda dy minutash. Të dielën në mesditë, Reali i Sociedadit do të vizitojë fushën e Rayo Vallecanos, e cila po rezulton një nga surprizat e këtij sezoni. Për baskët e vendit të katërt do të rëndonte shumë një hap fals, ndërsa Rayo Vallecano kërkon historinë për një vend në kupat e Europës.

Në rangun e peshave të rënda, Barcelona udhëton drejt Real Zaragozzas për të shtruar një tjetër korsi në luftën drejt titullit kampion. Skuadra katalanase vazhdon të kryesojë e qetë me 13 pikë më shumë se Reali i Madridit që duhet të kalojë pengesën Athletic Bilbao në “San Mames”.

Jose Mourinho ka planifikuar një rotacion me bazë të gjerë, por ky nuk është një disavantazh për skuadrën merengues që ka arritur të tregojë pjekuri në lojë edhe me zgjedhjet e stolit. Në pritje të një hapi fals të Realit është edhe Atletico Madrid që synon vendin e dytë. Ekipi i Diego Simeones pret në “Vincente Calderon” Granadan që rrezikon rënien nga kategoria. 

Lajme të ngjashme

Back to top button