Kosovë, sërish “kundër hajnisë”

Marshi i qytetarëve ka filluar para ndërtesës së Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ka vazhduar deri para ndërtesës së qeverisë. 

Njëri nga organizatorët e protestës, Rron Gjinovci ka kërkuar shkarkimin e ministrit për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj dhe bordit të kësaj koorporate. 

Ai po ashtu ka thënë se, me këta persona duhet të merret drejtësia dhe se largimi i tyre do të ndihmonte në zhvillimin e vendit. Protesta zgjati rreth një orë, ndërsa organizatorët paralajmëruan se sërish do të protestojnë për këtë çështje. 

Manifestimet kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike nisën më herët gjatë vitit dhe në ato të muajit mars mori pjesë edhe aktorja e njohur kosovare, Arta Dobroshi. 

“Kosova është e jona. Kosova nuk duhet lënë të vidhet. Kosova është e jona dhe ne e duam atë”, tha Dobroshi gjatë protestës së 13 marsit. 

Protestat kanë vazhduar që atëherë, pavarësisht largimit nga detyra të drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, i cili u konsiderua përgjegjës për faturat e muajit janar. 

Në fund të muajit të kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi me shumicë votash ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për KEK-un, pas kërkesës së grupit parlamentar të LDK-së./Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button