Presidenti afgan tregon se pse u largua nga vendi

Presidenti afgan Ashraf Ghani tha të dielën se ishte larguar nga vendi për të shmangur gjakderdhjen, ndërsa talebanët kishin hyrë në pallatin presidencial në Kabul.

Në disa komente të tij në Facebook Ghani shkruante se ishte larguar për të shmangur përplasjet me talebanët që do të rrezikonin jetën e miliona banorëve të Kabulit sikurse shkruante ai. Këto janë komentet e tij të para që nga largimi nga vendi. Ghani nuk dha detaje mbi vendndodhjen e tij aktuale. Por më herët agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se Presidenti Ghani ishte nisur drejt Taxhikistanit, shkruan Zëri i Amerikës.

Presidenti afgan Ashraf Ghani, së bashku me nënpresidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u larguan të dielën nga vendi, duke u krijuar terrenin kryengritësve talebanë për të rimarrë pushtetin në Afganistan, 20 vite pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkura e rrëzoi grupin nga pushteti. Administrata e tij në Kabul nuk ka bërë asnjë koment.

Nënpresidenti Afgan, Amrullah Saleh, i cili thuhet se po shoqëron Ghani shkruante në Twitter, se nuk do të përkulej para talebanëve, por ai nuk iu përgjigj pyetjeve rreth njoftimeve për largimit të tij nga vendi.

Talibanët kanë arritur të futen në Kabul në kryeqytetin e Afganistanit dhe thanë më herët se janë në pritje të një transferimi paqësor të pushtetit.

Po sot gjatë ditës talebanët morën Jalalabadin, kryeqytetin e provincës Nangarhar dhe qytetin e fundit të madh jashtë kryeqytetit që kishte qenë nën kontrollin e qeverisë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha për rrjetin televiziv CNN të dielën se nuk ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të qëndronin në Afganistan, pasi kryengritësit talebanë hynë në kryeqytetin e vendit, Kabul.

Blinken tha se Uashingtoni kishte investuar miliarda dollarë për forcat qeveritare afgane gjatë katër administratave amerikane, duke u krijuar atyre përparësi ndaj talebanëve, por ata nuk ia kanë dalë siç tha ai të ndalin përparimin e tyre.

E vërteta është se ne kemi parë që këto forca nuk ka qenë në gjendje ta mbrojnë vendin“, tha Blinken. “Dhe kjo ka ndodhur më shpejt nga sa e kishim parashikuar“, shtoi ai.

Ndërkohë Associated Press njoftoi se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, ai i Mbrojtjes Lloyd Austin, Gjenerali i Ushtrisë Mark Milley, kanë informuar anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën mbi situatën në Afganistan gjatë një konference virtuale të paklasifikuar.

Takimi është kërkuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi së bashku me një takim të klasifikuar që do të zhvillohet kur ligjvënësit të kthehet në Uashington pas 23 gushtit.

Në një deklaratë të NATO-s thuhej se kjo aleanca “po ndihmon operacionet që po zhvillohen në aeroportin e Kabulit për ta mbajtur Afganistanin të lidhur me botën”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se aleanca do të vazhdojë të ruajë praninë e saj diplomatike në Kabul. “Siguria e personelit tonë është parësore dhe ne do vazhdojmë të përshtatemi sipas nevojës“, thuhej në deklaratë.

NATO nuk dha detaje mbi numrin e stafit të saj që vazhdon të jetë në Afganistan, por tha se po “vlerësonte vazhdimisht zhvillimet” në vend.

Ne mbështesim përpjekjet afgane për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit, e cila tashmë është më urgjente se kurrë“, thuhej në deklaratë.

Vatikant – Papa Françesku tha të dielën se ndan “shqetësimin për situatën në Afganistan” ndërsa luftëtarët talebanë po zgjerojnë kontrollin në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ai foli kur talebanët hynë në periferi të Kabulit, kryeqytetit afgan dhe tha se ata ishin duke pritur një “transferim paqësor” të kryeqytetit.

Nga një dritare me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, Papa bëri thirrje për lutje “në mënyrë që zhurma e armëve të pushojë e që zgjidhjet të gjenden në tryezën e bisedimeve”, siç tha ai.

Ai shtoi se “vetëm në këtë mënyrë, popullata e goditur e vendit, burra dhe gra, të moshuar e fëmijë do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe siguri, me respekt të plotë reciprok”

Berlin – Gjermania po dërgon avionë transporti ushtarak në Kabul për të filluar evakuimin e stafit të ambasadës së saj të hënën.

Agjencia gjermane e lajmeve (dpa) njoftoi të dielën se misioni do të përfshijë evakuimin e stafit afgan që punon për ambasadën gjermane.

Aeroplanë ushtarakë pritet të transportojnë të evakuuarit nga Kabuli në një bazë në Azinë Qendrore.

Moskë – Agjencia shtetërore e lajmeve ruse raportoi të dielën se talebanët premtuan të garantojnë sigurinë e ambasadës ruse në Kabul.

Agjencia Tass citoi Suhail Shaheen, një zëdhënës i zyrës politike të talebanëve, të thotë se organizata ka “marrëdhënie të mira me Rusinë” dhe në përgjithësi “një politikë për të garantuar siguri për funksionimin e ambasadës ruse e të tjerave”.

I dërguari i Kremlinit për Afganistanin tha të dielën se nuk ka plane për të evakuuar ambasadën ruse në Kabul. Zamir Kabulov i tha agjencisë së lajmeve Interfax se ambasadori rus dhe stafi i tij “po kryejnë me qetësi detyrat e tyre”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button