Osmani-Sadriu: Kosova pranoi kërkesën e SHBA-së për strehim të përkohshëm të civilëve afganë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njoftoi se vendi i saj ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të siguruar strehim të përkohshëm për civilët afganë të cilit kishin punuar me forcat amerikane derisa të përfundojë procedura për largimin e tyre në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Kosovës deklaroi në median sociale se më 16 korrik, disa ditë pas Ditës Botërore të Refugjatëve, ajo u kontaktua nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcolli kërkesën e presidentit Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për strehimin e afganëve.

Ajo sqaroi se bëhet fjalë për civilë afganë të cilët ishin në shënjestër të talibanëve, vetëm sepse kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë.

“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, tha Osmani-Sadriu.

Ajo më tej tha se qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj.

“Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur”, shtoi Osmani-Sadriu.

“Askush më mirë se ne nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën”, tha presidentja kosovare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button