Hashim Thaçi : Për mosmarrëveshjen fajin e ka Beogradi

Edhe njëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka hedhur fajin për mosmarrëveshje palës serbe! Thaçi, duke folur për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, tha se Republika e Kosovës, tashmë i ka kryer obligimet e veta në këtë dialog, duke shtuar se proçesi ka ngecur te pala serbe, e cila po heziton të bëjë hapa përpara.

“Ne i kemi kryer obligimet tona karshi dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Tani Serbia duhet të komunikojë me Baroneshën Ashton dhe të prezantojë opinionet e veta dhe gatishmërinë e vet për të lëvizur përpara. Pozicioni i Kosovës është jashtëzakonisht i qartë, është në përputhshmëri të plotë me qëndrimin edhe të BE-së edhe të SHBA-së. Qëndrimet tona janë kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës theksoi gjithashtu se me këto veprime Serbia po mban peng vendin dhe po e izolon rajonin me mentalitetin e së kaluarës.

“Është koha që Beogradi të vetëdijësohet për të lëvizur përpara, në mënyrë që edhe vetë të mos izolohet dhe të mos e mbajë peng rajonin në mentalitetit e së kaluarës. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Baroneshën Ashton dhe kabinetin e saj, kështu që do të shohim se si do të lëvizin gjërat në orët dhe ditët e ardhshme”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button