Itali, policia konfiskon 110 kilogram ari

Ajo që dukej një udhëtim i zakonshëm familjar për pushimet e Pashkëve nga Zvicra në Itali doli të jetë kontrabandë e një sasie të madhe të arit.

Vetura e vogël, që nuk binte në sy me asgjë, u ndalua nga policia financiare e Italisë për kontroll rutinë. Në veturë ishin prindërit dhe tre fëmijët e tyre të vegjël. Policia filloi të dyshonte kur hetoi se familjarët po bëheshin gjithnjë më nervozë.

Pas një kontrolli më të detajuar, policët gjetën diçka që rrallë u ndodh të shohin. Në dyshemenë e dyfishtë ishte fshehur një thesar i tërë: një duzinë shufrash të mëdha të arit që së bashku peshonin 110 kilogramë, transmeton Abinfo. Vlera e arit të fshehur është 4.5 milionë euro.

Siç bëjnë të ditur organet italiane të sigurisë, bëhet fjalë për një familje italiane me qëndrim në Zvicër. Kryefamiljari i saj drejton një ndërmarrje atje, por prejardhja e një sasie kaq të madhe të arit mbetet e paqartë. Ndaj tij është ngritur një padi për larje parash. Ari dhe vetura janë konfiskuar./Indeksonline/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button