Bexheti me fjalët e fundit për Tetovën para votimit të dielën

Sot para heshtjes parazgjedhore kandidati i PDSH-së për Tetovën Sadi Bexheti doli me porosinë e fundit ndaj votuesve.

”Tetova është qyteti ku u linda, i shkollës ku mësova, i shokëve të fëmijërisë. Tetova është qyteti që më futi në rrugën e punës, që më dha mundësinë e rrallë të isha kryetari i saj, që më dha mundësinë të jem pranë njerëzve të mi.

U bënë 4 vite që unë jetoj me shqetësimet e qytetit , me dashurinë dhe dhimbjen për vendin ku bashkërisht jetojmë. Gjatë katër viteve të mandatit së bashku me bashkëpunëtorët e mi jam munduar të sjell pranë jush ndryshime që jeta juaj të përmirësohet, sepse unë e di që ju meritoni çdo ditë ndryshim të qytetit.

Ne dhamë gjithçka nga vetja jonë që ky ndryshim të ndjehet në jetën tuaj”, tha në porosinë e tij Bexheti. “Prandaj, sot, kam nderin t’ju drejtohem edhe njëherë me vullnetin më të mirë që të bashkohemi sa më shumë për programin tonë të zhvillimit dhe për të triumfuar mbi politikat që e harruan Tetovën plot katër vjet.

Për të realizuar vazhdimësinë e punëve të mira unë kërkoj përsëri mbështetjen tuaj, me besimin e patundur se atë do ta fitojë”, u shpreh Bexheti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button