Kërkohet ngritja e përmendores së Muhamedali Jasharit

Një iniciativë qytetare e cila ditëve të fundit masovisht është shpërndarë nëpër rrjetet sociale kërkon që djaloshit të ndjerë Muhamedali Jashari nga fshati Kondovë ti ngritet përmendore për aktin e tij human. 

“Ne qytetarët, kërkojmë që kandidatët për kryetar të Qytetit të Shkupit, Komunës Qendër dhe Karposh para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve të premtojnë se pa marrë parasysh se kush fiton, qeverisja e tyre lokale do të ndërtojë të paktën një shtatore të thjeshtë në Komunën e Karposhit në afërsi të SHMN-së  ose në qendrën e Shkupit me anë të së cilës do të mbahet në mend akti human i nxënësit Muhamedali Jashari (1992-2011) i cili e sakrifikoi jetën e vet duke e mbrojtur shokun e tij nga sulmuesit e dhunshëm.
Ngritja dhe ruajtja e përmendores në respekt të djaloshit të ndjerë i cili u injorua nga të gjitha institucionet të cilat japin mirënjohje për trimëri dhe kontribut ndaj shoqërisë, do të kontribuojë për përforcimin e unitetit mes gjithë banorëve të cilët jetojnë në Shkup dhe në përgjithësi në Maqedoni. Në këtë mënyrë edhe fëmijëve të tjerë do tu jepet një shembull i mirë për bashkëmoshatarin e tyre i cili nuk ka rënë nën ndikimin e propagandave nacionaliste për ndarje etnike” thuhet në iniciativën e Filip Stojanovskit e cila ka pasur qindra shpërndarje në Facebook dhe Twitter.

“Heronjtë real janë të injoruar dhe në vend të tyre fëmijëve tanë organet shtetërore dhe partitë të cilat i kontrollojnë ata ju servojnë shembuj mitikë dhe legjenda” thotë për Portalb Filip Stojanovski.

Deri më tani asnjëri nga kandidatët për këta komuna nuk është përgjigjur pozitivisht në këtë thirrje, edhe pse edhe ata kanë qenë të kontaktuar në Facebook dhe Twitter.

Ndryshe, dy seanca ndajnë nga fundi procesin gjyqësor kundër tre të rinjve maqedonas, që akuzohen për vdekjen e maturantit Muhamedali Jashari në oborrin e Shkollës së mesme të ndërtimit “Zdravko Cvetkovski” në Shkup. 

Vazhdimi i gjykimit është paraparë të mbahet më dhjetë prill ndërsa me seancat e deritanishme u konstatua se Muhamedali Jashari gjeti vdekjen i pafajshëm.

Tre të akuzuarit atë ditë kishin shkuar në ambientet e shkollës së ndërtimit pikërisht për Darko Ançevin. Pas rrahjes së tij dhe reagimit të sigurimit të shkollës, të akuzuarit kanë nisur të shpërndahen me vrap. Për fat të keq, pikërisht në ato momente nga objekti i shkollës ka dalë Muhamedaliu, i cili në një moment ka tentuar të kap Petar Manevin, që gjatë arratisjes i ka dhënë maturantit shqiptar goditjen vdekjeprurëse. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button