Zaev e konfirmoi: Listat e pavarura do të duhet të mbledhin nënshkrime prej 2 përqind nga numri i votuesve

Kryeministri Zaev paralajmëroi se, sipas ndryshimeve të dakorduara në Kodin Zgjedhor, të cilat duhet së shpejti të hyjnë në procedurë parlamentare, listat e pavarura me kandidatë për këshilltarë, duhet të mbledhin nënshkrime prej 2 përqind të votuesve nga komuna apo Qyteti i Shkupit që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në vjeshtë, transmeton Portalb.mk.

“Në komunë me 50,000 votues duhet të mblidhen 1000 nënshkrime, ndërsa 1500 vota duhet që të zgjedhet këshilltar, që do të thotë se është bërë mesatarisht një paralele. Nuk bëhet fjalë për marrëveshje mes LSDM-së, VMRO – DPMNE-së dhe BDI-së, por në përpunimin e propozim ligjit kanë marrë pjesë të gjitha partitë politike, edhe Aleanca për Shqiptarët edhe “E majta”. Në fund, ligji miratohet në Kuvend dhe aty mund të hapet debat, që është plotësisht legjitime”, tha Zaev.

Sipas asaj që e paralajmëroi Zaev, për kandidaturë të listave të pavarura në Qytetin e Shkupit do të duhet të mblidhen mbi 9 mijë nënshkrime, ndërsa për kandidaturë në Komunën Qendër mbi 800 nënshkrime.

Ndërkaq, sipas zgjidhjes ligjore aktuale, për kandidaturës e listës së pavarur në Qytetin e Shkupit nevojiten 1000 nënshkrim, ndërsa në Komunën Qendër 350.

Zaev tha se gjatë përpunimit të këtyre ndryshimeve ligjore janë respektuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, mes të cilave edhe rekomandimet për unifikim të pragut për dorëzimin e nënshkrimeve për listat e pavarura.

Ndërkaq, ky propozim është cilësuar si diskrimunues nga listat e pavarura.

Listat e pavarura “Më mirë për Tetovën” dhe “Qyteti i gjelbër human” nëpërmjet një reagimi të postuar në rrjetin social Facebook, kanë thënë se, LSDM dhe VMRO-DPMNE janë të frikësuara nga këto lista andaj po i pengojnë të marrim pjesë në zgjedhje.

“Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilat kanë arritur marrëveshje këtë javë, në vend të një numri fiks të nënshkrimeve që duhet të grumbullojnë listat e pavarura për të garuar në votime, kjo shifër përcaktohet në 2% të trupit votues. Në realitet, kjo do të thotë që një listë e pavarur për të kandiduar kryetar komune ose këshilltarë të qytetit të Shkupit, në vend të 1000 nënshkrimeve, siç parasheh ligji aktual, do të duhet të mbledhë gati 10,000 nënshkrime! 10 HERË MË SHUMË NËNSHKRIME SE MË PARË, për të garuar në zgjedhje lokale! Përveç kësaj, nënshkrimet mblidhen ekskluzivisht gjatë orarit të punës, në zyrat e vogla rajonale të KSHZ-së, në një kohë kur shumica e qytetarëve janë në pushime verore. A mund të jetë kjo një rastësi?”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu, kanë paralajmëruar se, së bashku me listat e tjera të pavarura, do të përdorin të gjithë mekanizmat që kanë në dispozicion për të parandaluar “këtë shkelje brutale të demokracisë dhe për të treguar se ata kanë diçka për t’u frikësuar”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button