Kurti vizitoi të lënduarit nga aksidenti në Kroaci, dita e hënë – ditë zie,10 të vdekur dhe 15 të lënduar rëndë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, kanë mbajtur konferencë për media në lidhje me aksidentin e rëndë që ka ndodhur sot në Kroaci, ku jetën humbën 10 persona, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda. Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë dhe kishte rreth 60 pasagjerë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ditën e hënë e shpalli ditë zie shtetërore në nder të viktimave nga ky aksident tragjik.

21:20- Kurti ka thënë se kjo është një ditë e rëndë për mbarë popullin shqiptarë, transmeton Telegrafi.

I pari i Qeverisë ka falënderuar shtetin kroat për trajtimin e të lënduarve nga ky aksident.

“I vizitova pacientët në dhomat e spitalit. Falënderoj profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe angazhimin e pakursyer”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka kujtuar rolin që ka mërgata kosovare në zhvillimin e ekonomik të Kosovës.

“Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen për pushime në vendlindje. Shteti dhe mirëqenia jonë, ajo çfarë e kemi, varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tepër e rëndë për ne”, tha ndër të tjera Albin Kurti.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njoftoi se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda, transmeton RTK.

14:00 – “Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhet në komunikatën e MPJD.

MPJD-ja shprehu keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkatdhetarëve tanë dhe i shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe i dëshiroi shërim të shpejtë të lënduarve.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlic Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve.

13:46 –Njëri nga shoferët e autobusit që pësoi aksident tragjik ku vdiqën 10 persona në Kroaci, po qëndron në stacion të Policisë, transmeton RTK.

Drejtori i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut e dha këtë informacion, duke treguar paraprakisht për detajet e aksidentit dhe gjendjen e atyre që po trajtohen në spitalin rajonal në Slavonski Brod.

“14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin e Policisë, në pritje për t’u akomoduar në një strukturë të siguruar nga qarku”, tha Trut.

Ai tha se autobusi kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq së bashku me 9 udhëtarë.

“Kishte 67 pasagjerë dhe 2 shoferë në autobus. Për fat të keq, 9 pasagjerë dhe një shofer u vranë”, tha Trut.

Ai tha se në mesin e pasagjerëve në autobus kishte edhe fëmijë, ndërsa nuk tregoi nëse edhe në mesin e 10 të vdekurve ka fëmijë.

“44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë prej tyre u plagosën rëndë, katër u operuan”, tha Trut.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore paraprakisht. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Mes të vdekurve është shoferi ‘tjetër’, i cili nuk po e voziste autobusin në atë kohë.

Një autobus me targa të Kosovës doli jashtë autostradës afër Slavonski Brod ku kanë vdekur të paktën dhjetë pasagjerë. Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë dhe kishte rreth 60 pasagjerë, transmeton Telegrafi.

Siç raportojnë mediat kroate, sipas informacionit të fundit nga policia numri i personave që kanë humbur jetën deri tani është dhjetë.

Informacioni i parë i policisë ishte rreth tre të vdekur, por më pas numri i të vdekurve u rrit në tetë, dhe pastaj policia raportoi për dhjetë të vdekur.

“Situata është shumë e vështirë dhe ka ende një numër të madh të pasagjerëve që janë në rrezik për jetë”, tha Damir Brezic, një zëdhënës i policisë së qarkut Brod-Posavina.

“Gjatë hetimit, policia përcaktoi se ishte një autobus me kombësi të Kosovës dhe targa regjistrimi gjersa sipas informacionit aktualisht të disponueshëm, 10 persona vdiqën në aksidentin e trafikut, ndërsa dhjetëra u transportuan në spitalin në Slavonski Brod për ndihmë mjekësore”, njoftoi policia.

“Situata është shumë e rëndë dhe ka ende një numër të madh të pasagjerëve në rrezik për jetën”, tha policia e qarkut Brod-Posavina.

Për shkak aksidentit, trafiku në autostradën A3 Bregana-Lipovac midis kryqëzimeve Slavonski Brod perëndim dhe Slavonski Brod lindje në drejtim të Lipovac ishte ndaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button