Në hyrje të fshatit Odër assesi të pastrohen mbeturinat, Komuna e Tearcës arsyetohet me mungesën e deponisë rajonale (VIDEO)

Banorët e pandërgjegjshëm kanë krijuar deponi të egra në pjesët anësore të rrugës magjistrale që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Gjendja e tillë vjen si pasojë e mos-pasjes së një deponie legale të standardizuar në Rajonin e Pollogut ku do të grumbullohen mbeturinat. Portalb.mk sjell pamje nga deponia në hyrje të fshatit Odër të Komunës së Tearcës. Banorët kërkojnë nga Komuna e Tearcës të pastrojë më shpesh të njejtën ndërsa kjo e fundit thotë se kjo deponi do të pastrohet së shpejti.

Në hyrje të fshatit Odër që i takon Komunës së Tearcës, anash rrugës magjistrale Tetovë-Jazhincë, vazhdimisht grumbullohen mbeturina. Kjo deponi vjen si pasojë e mos-pastrimit të rregullt të mbeturinave nga ana e përgjegjësve si dhe nga mos-dënimi i mjaftueshëm i banorëve të pandërgjegjshëm që hedhin ato duke mos marrë parasysh shenjën e vendosur që thotë se “ndalohet hedhja e mbeturinave”.

Banorët e fshatit Odër shprehen të shqetësuar në lidhje mbeturinat në hyrje të fshatit të tyre. Sipas tyre, kjo deponi e egër është pastruar disa herë, por problemi nuk është zgjidhur.

“Ky problem ekziston prej disa viteve, herë pas here është pastruar por situata përsëri është e njëjtë”, thotë banori J.Xh.

“Këto pamje nuk japin mesazh të mirë për fshatin, sidomos gjatë periudhës së verës kur edhe shumica e mërgimtarëve kthehen në vendlindje, nuk është një pamje që i ngjan një rruge që lidh Maqedoninë dhe Kosovën”, thotë A.E.

Kryetari i Bashkësisë Lokale Odër, Naim Xhelili tha se gati gjitha mbeturinat hidhen nga banorët e fshatrave fqinje Dobrosht dhe Nerasht edhe pse ky vend është i fshatit Odër. Madje, sipas tij, edhe pronat private i kanë mbushur me mbeturina.

Mbeturinat në f.Odër, Komuna TearcëMbeturinat në f.Odër, Komuna Tearcë

“Komuna e ka për detyrë t’i pastrojë këto mbeturina dhe është zotuar se do t’i pastrojë por nuk ka asgjë në këtë aspekt, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret”, tha Naim Xhelili.

Ai thotë se Bashkësia Lokale-Odër ka bërë ankesa në Komunë por edhe te Bashkësia Lokale e fshatit Dobrosht.

Kontaktuam edhe Bashkësinë Lokale të fshatit Dobrosht, mirëpo nga to nuk morëm përgjigje.

Komuna thotë që do ta pastrojë vendin dhe arsyetohet me mungesën e deponisë rajonale

Nga Komuna e Tearcës për Portalb.mk thanë që kjo deponi është pastruar disa vite më parë, por që banorët sërish e kanë mbushur.

Shenja për ndalim është vendosur pasi u pastrua hapësira me qëllim që të informohen qytetarët se deponia është e mbyllur mirëpo, e njëjta nuk është respektuar.” thanë nga Komuna e Tearcës.

Komuna e Tearcës
Komuna e Tearcës

Nga Komuna thanë se janë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj disa individëve, sipas tyre, pesë persona janë dënuar për hedhjen e mbeturinave, nga të cilët njëri ka paguar gjobën kurse të tjerët e kanë kompensuar me punë të përgjithshme.


Por, Komuna nuk u përgjigj në pyetjet:
1. Për cilën periudhë kohore janë dënuar këto persona?
2.Cila është shuma e gjobës që është paguar dhe kur?
3. Çfarë domethënë konkretisht “puna e përgjithshme”?

Nga Komuna gjithashtu thanë se “në një periudhë të ardhme do të pastrohet edhe deponia në Odër” por nuk konkretiziuan se kur do të ndodhë kjo.

Megjithatë, sipas Komunës, deri në zgjidhjen përfundimtare të menaxhimit me mbeturina duhet të zgjidhet problemi i mungesës së deponisë rajonale.

Pollogu nuk ka deponi rajonale me standardet e duhura

Në rajonin e Pollogut për momentin ka vetëm një deponi në Gostivar, ajo është deponia “Rusino” e cila nuk plotëson asnjë standard. Për këtë problem kanë protestuar disa herë banorët lokal dhe e kishin bllokuar hedhjen e mbeturinave. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 siguroi 1.5 milionë franga zvicerane, për modernizimin e deponisë “Rusino”. Në fund të vitit 2020 nga 9 kryetarët e komunave dhe Qeverisë u vendos që deponia “Rusino” të mbyllet deri sa të modernizohet, komunat të japin dhe para për ko-financim si dhe u themelua ndërmarrja publike rajonale “Rusino-Pollog”.
Faza e parë e modernizimit ishte kryerja e studimit të fizibilitetit, sigurimi i dokumentacionit të projektit dhe zbatimi i “masave të shpejta” për sanimin e pasojave mjedisore që kanë shkaktuar mbeturinat.

Sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) faza e parë e projektit ka përfunduar dhe për momentin kryhen aktivitete për parandalimin e ndotjes së mëtejshme dhe rehabilitimin e lokacionit ku mbetjet hidheshin në të kaluarën.

Ndërkaq, faza tjetër është standardizimi i plotë i kësaj deponie për të cilën do të merret kredi nga BERZH.

“Qeveria ka paraqitur kërkesë për kredi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kur kredia të miratohet, do të zgjidhet kompania për të kryer punimet dhe ndërtimi pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2022. Qeveria është përgjegjëse për dinamikën e ndërtimit”, thanë për Portalb.mk nga MMJPH.

Nga BERZH kërkohet të miratojë kredi prej 17 milion eurove.

Rruga drejtë Rusinos, foto arkiv

Për deponinë e re të standardizuar “Rusino-Pollog” ende nuk është zgjedhur lokacioni ndërsa jo gjitha komunat kanë paguar nga 2.200 euro si investim themelues edhe pse kanë nënshkruar marrëveshje.

“Detyrimet janë paguar nga komuna e Gostivarit, Tetovës, Tearcës dhe Jegunocës”, thanë nga MMJPH.

Sipas Planit me menaxhimin e mbeturinave në nivel të Rajonit të Pollogut, pasi të ndërtohet deponia e re duhet të bëhet grumbullimi, transportimi dhe deponimi i mbeturinave nga 9 komunat e Pollogut deri te e njëjta.

“Në momentin që do të funksionojë deponia, të gjithë amvisëritë obligohen të pajisen me kontejner dhe të gjithë gjeneruesit e mbeturinave obligohen të lidhin kontratë me operatorin për grumbullim ose duhet ti bartin vet mbeturinat deri në deponi.” thanë nga Komuna e Tearcës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button