Sonte mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar

Nuk ka asnjë media amerikane e angleze që sektorin e tyre të filmit nuk e ka stërmbushur me parashikime për fituesit e çmimeve “Oscar” që do të ndahen në orët e para të së hënës sipas orës lokale.

Por sivjet parashikimet janë kundërthënëse krahasuar me ato të vitit të kaluar kur kritikët ishin treguar të saktë për filmin pa zë “The Artist”.

Kësisoj për “Oscar 2013” kritikët nuk kanë mundur të përcaktohen me përqindje të lartë për vetëm një film.

Megjithatë filmi i Ben Affleck “Argo”, ai i Kathryn Bigelow “Zero Dark Thirty” dhe ai i Steven Spielberg “Lincoln” janë përmendur si më favoritët për të marrë “Oscar” në kategorinë kryesore.

Megjithatë filmi që flet për dramën iraniane të vitit 1980 kur janë kidnapuar gjashtë diplomatë amerikanë ka marrë përkrahjen më të madhe nga disa ngjarje të fuqishme kinematografike në botë. Nëse merren parasysh çmimet që filmat e nominuar për “Oscar” i kanë dhënë “Los Angeles film Critics Association”, “Golden Globe”, “American Cine Editors”, “New York Film Critics Cirsce”, “Writers, Proucders, Screen Actors and Director Guild of Amerika” dhe tetë organizatave të tjera që në përbërjen e tyre kanë kritikët më të rëndësishëm të kinematografisë botërore, del që filmi “Argo” prin me përqindjen më të madhe për mundësinë e marrjes së çmimit kryesor. Pas tij vijnë filmat si “Zero Dark Thirty”, “Django Unchained” e “Lincoln” që ka marrë 12 nominime gjithsej.

Megjithatë regjisori i filmit që flet për jetën e presidentit amerikan Abraham Lincoln, Steven Spielberg prin me më së shumti pikë nga kritikët si favorit për të marrë “Oscarin” për regjisorin më të mirë.

Ang Lee regjisor i filmit “Life of Pi”, David O. Russell për “Silver Linigs Playbook” i rrinë afër listës së favoritëve në këtë kategori. “Ne kemi një përballje të jashtëzakonshme këtë vit. Parashikimet e të gjithëve mund të dalin thjesht paragjykime kur të dielën do të ndahen çmimet.Megjithatë favoritët gjithmonë ekzistojnë”, thuhet në një deklaratë të “Los Angeles film Critics Association”

Lajme të ngjashme

Back to top button