Jaksic: Do t’i mbrojmë institucionet paralele ne veri

 Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Serbisë për Kosovë (DSS), Marko Jaksic ka thënë se është e papranueshme që bashkësia e komunave serbe në Kosovë të jetë nën juridiksionin e shtetit të pavarur të Kosovës.

“Kurrë nuk do të pranojmë diçka të tillë, që bashkësia e komunave serbe të jetë nën ombrellën e shtetit të pavarur të Kosovës. Në qoftë se dikush në Beograd dëshiron të bëjë marrëveshje separatiste me Prishtinën, atëherë ai duhet të ndryshojë rregullimin shtetëror-kushtetues të Serbisë dhe të fshijë krahinën e Kosovës”, ka thënë Jaksic për gazetën Dnevnik të Novi Sadit.

Ai ka shpjeguar se në veri të Kosovës veprojnë institucionet shtetërore të Serbisë, në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën.

“Çfarëdo që të jenë marrëveshjet e dy kryeministrave, Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi, ne do të përpiqemi që të mbrojmë ato institucione, duke ruajtur kështu edhe Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, ka thënë Jaksic.

Gjatë takimit të fundit të kryeministrave Thaçi dhe Dacic në Bruksel është biseduar për formimin e bashkësisë së komunave serbe në veri të Kosovës

Lajme të ngjashme

Back to top button