Maqedoni, aktivizmi qytetar ekziston vetëm në rrjetet sociale!

Miratojmë ligje evropiane njëjtë sikur importojmë qumështin, rrallë herë i kontrollojmë, dhe pastaj bëhet vonë kur lindin problemet. Kështu është shprehur Misha Popoviq nga ‘Sloboden Softver Makedonija’ në konferencën “Engage” për mediet sociale dhe aktivizmin qytetar e cila u mbajt të shtunën në Shkup në organizim të ‘Radio Mof’.

Shembull për ligj të tillë është ai për përgjegjësi qytetare dhe fyerje i cili u miratua vitin e kaluar nga Parlamenti me pretekst se ka siglën evropiane. Ky ligj shkaktoi revolt në sferën e aktivistëve on-line për shkak të disa neneve që kufizonin fjalën e lirë. Andaj më 9 tetor, shumë medie, duke përfshirë edhe PortAlb, i errësuan ekranet e tyre në shenjë revolti.

Vetë fakti që anekset problematike kaluan në lexim të parë në Kuvend tregon se sa deputetët në vend e kanë të zhvilluar mendimin kritik. Por, me sa duket ligji filloi të funksionojë me një kërkim-falje e cila më pas u replikua edhe te tjerët. Në të ardhmen do të shohim shumë kërkim-falje të tilla sepse ligji parasheh dënime të mëdha ndërsa qytetarët më mirë do të kërkojnë falje se sa të dënohen” thotë Popoviq.

Në kushte kur ka një bllokadë të plotë nga mediet tradicionale, aktivizmi i qytetarëve është transferuar në mediet sociale ku ka një hapësirë të pjesërishme për depërtim të informatave deri të ata persona që nuk mund të informohen nga mediumet tjera. Kështu thotë Petrit Saraçini nga lëvizja AMAN.

Duhet tu bërtasim që të na shohin, jo vetëm on-line dhe para institucioneve por në emër të të gjithëve që nuk janë aty. Nuk mund të jemi të ndershëm kur pala tjetër është e pandershme” tha Saraçini në konferencën “Engage”.

Elena Ignatova nga ‘Fondacioni Metamorfozis’ e prezantoi shërbimin ‘Vërtetëmatës’ me anë të së cilit mund ta kontrolloni sa një parti politike apo politikan i plotëson premtimet e dhëna. 

Vërtetëmatësi ekziston në Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë. Është një platformë online në të cilën shënohen premtimet e politikanëve të Ballkanit dhe ndiqet puna e tyre. Kur ka informatë të re në lidhje me ndonjë premtim të tyre shënohet në këtë uebsajt. Është një shërbim shumë i mirë për të parë se sa politikanët në fakt i qëndrojnë pas asaj që e premtojnë para popullit. Aktualisht punohet në premtimet e kryetarëve të komunave” tha Ignatova. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button