RMV, është dyfishuar numri i të infektuarve me variantin “Delta”
Katër raste të reja të personave të infektuar me variantin e virusit korona “Delta” apo siç njihet në opinion si “indian” janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Me këtë, numri i të infektuarve me këtë lloj të virusit korona ka arritur prej 4 në 8, njofton Portalb.mk.
“Dje kemi diskutuar, nuk kanë pasur shumë kontakte, ato janë anëtarë të familjes, dy çifte të familjeve dhe nuk ka rrezik epidemiologjik”, tha sot ministri Filipçe.
Ai konfirmoi se personat e infektuar me llojin indian kanë udhëtuar jashtë vendit. Ai tha se të dy rastet janë konfirmuar nga spitali Zhan Mitrev, por për ato nuk dihen të dhënat epidemiologjike.
Ministri Filipçe shtoi se deri në fund të javës me anëtarët e Komisionit për Sëmundje Infektive do të diskutojnë nëse gjendja aktuale kërkon miratimin e masave të reja restriktive, por nëse eventualisht do të miratohen, do të jenë në lidhje me kalimin nëpër pikat kufitare gjatë hyrjes së qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Fiipçe tha se do të diskutojë në kuadër të Komisionit për atë se shumë qytetarë udhëtojnë, por dhe nëse në periudhën e kaluar tërë valët e rajonit ishin të njëjta, a të gjitha vendet kishin masa të ndryshme për mbrojtje nga KOVID-19.
Përveç masave eventuale në pikat kufitare, nuk parashihen masa tjera restriktive, sqaroi Filipçe.
Ministri apeloi deri te qytetarët që të vaksinohen. Filipçe tha se deri në fund të javës do të mbarojë edhe vaksinimi i 60.000 qytetarëve të mbetur që janë paraqitur në vakcinacija.mk, bashkë me njerëzit e vaksinuar në Serbi. Numri i të vaksinuarve do të arrihet rreth 500.000.
Filipçe shtoi se në Angli me valën e re të variantit indian është treguar se është me rëndësi që sa shumë qytetarë të vaksinohen, por shtoi se në të ardhmen janë të mundshëm edhe valë të reja, por ajo nuk do të thotë se do të duhet të jetojmë të mbyllur. Nga ana tjetër, shtoi Filipçe, të vaksinuarit edhe në rast se infektohen, do të kenë formë të lehtë të ftohjes.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë sot reagoi ndaj disa raporteve dhe qëndrimeve të shprehura në media se vaksina kineze “Sinovak” nuk mbron nga soji “Delta” si dhe për pamje të rëndë klinike e sëmundjes së atyre që vaksinohen me këtë vaksinë.
“Ky pretendim është absolutisht i pasaktë, nuk ka asnjë studim apo provë shkencore që e konfirmon këtë. U bëjmë thirrje mediave të mos vendosin teza të pa verifikuara nga individë që nuk bazohen në informacione zyrtare nga institucionet shëndetësore ndërkombëtare. Analizat dhe informacionet zyrtare të deritanishme të OBSH-së, e cila e aprovoi këtë vaksinë, deri më tani tregojnë se është 51 përqind efektive në mbrojtjen e rasteve asimptomatike dhe mbron 100 përqind nga zhvillimi i sëmundjes së rëndë”, informojnë nga Ministria e shëndetësisë.
Ata shpjegojnë se, sipas dy studimeve të fundit të OBSH-së të zhvilluara në Brazil mbi efikasitetin e vaksinës nga llojet e reja, të cilat aktualisht janë në qarkullim, është konfirmuar se sipas studimit të parë mbron 50%, ndërsa sipas studimit të dytë mbron 83%.
Nga ana tjetër, dje Izraeli ka njoftuar se efektiviteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19. Njoftimi vjen pas përhapjes gjithnjë e më të lartë të variantit Delta të koronavirusit dhe heqjen e kufizimeve të distancimit fizik në Izrael. Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimeve dhe simptomave të rënda të sëmundjes.
Varianti Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi, thuhet se është përgjegjës për më shumë se 90 për qind të rasteve të reja të COVID-it në Izrael gjatë dy javëve të fundit. Që nga dhjetori i vitit 2019, pandemia ka marrë jetën e mbi 4 milionë personave në mbarë botën nga mbi 184 milionë raste të raportuara.