Propozimi i Daçiç për Veriun

Ideja e kryeministrit serb, Ivica Daçiç për krijimin e bashkësive të komunave serbe në veriun e Kosovës është e papranueshme për opozitën në Kosovë. 

Ndërkohë, në koalicionin qeverisës deklarojnë se kompromiset e dhimbshme Kosova i ka bërë në negociatat e Vjenës, kurse sipas tyre deri më tani në këtë dialog nuk është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe as rezoluta e Kuvendit.

I pyetur se a përbën rrëshqitje në autonomi për veriun, krijimi i bashkësisë së komunave serbe në veri, Grabovci, nuk ka dhënë përgjigje direkte, por ka thënë se se institucionet e vendit po mundohen ta integrojnë atë pjesë.

”Komunat janë atje dhe ne po mundohemi të krijojmë kushte të nevojshme që në veri të vendit të realizohet një mbajtje demokratike e zgjedhjeve, nga të cilat do të zgjidhen përfaqësues legjitimë”, deklaroi Grabovci, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kërkesa për përfaqësim në bashkësi të komunave krijon një organ të ri në Kosovë, që sipas tij, çon në krijimin e një miniparlamenti.

”Ky organ është tendencë që të krijoj një mini parlament ku komunat delegojnë përfaqësuesit e vet dhe ku delegohen përgjegjësit në vendimmarrje. Ky është një kërcënim për Kosovën sepse krijohet shtresa e tretë e pushtetit apo niveli i mesëm i pushtetit dhe kjo do të ishte shumë e rrezikshme”, komentoi Haziri.

Në anën tjetër, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë vlerësuar se tashmë po hapet Pakoja e Ahtisaarit. Sipas këtij subjekti opozitar nuk mund të shpresohet që të mbrohet Kushtetuta apo sovraniteti i Kosovës, ndërsa sipas tyre jemki në prag të një dëmtimi të madh të integritetit territorial të shtetit.

Sipas deputetit, Glauk Konjufca, “Plani i Ahtisaarit po përfundon në tavolinën e negociatave, me vetë faktin që Qeveria e Kosovës do ta mbajë pozicionin e Planit të Ahtisaarit, kurse Qeveria e Serbisë do ta mbajë pozicionin e platformës serbe për Kosovën”.  

Këto reagime kanë ardhur pas takimit të fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me atë serb, Daçiç, ku pas dy ditësh nuk pati ndonjë rezultat për tërheqjen e strukturave paralele serbe dhe as ndonjë marrëveshje tjetër.

Takimi i radhës ndërmjet dy kryeministrave, nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, kryediplomates së BE-së, do të mbahet më 4 mars.

Lajme të ngjashme

Back to top button