Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwele nesër për vizitë në Maqedoni

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwele nesër vjen në Maqedoni për t’u takuar me kreun shtetëror të Maqedonisë.

Siç kumtuan nga MPB-ja dhe Ambasada gjermane në Shkup, Westerwele do të takohet me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, me zëvendëskryetarin e qeverisë për eurointegrime, Fatmir Besimi dhe me shefin e diplomacisë, Nikolla Poposki. Është paraparë që ai të bisedojë edhe me kryetarin e opozitës së LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Tema qendrore e bisedimeve do të jetë procesi i eurointegrimit të Maqedonisë në vigjilje të Samitit të Këshillit Evropian në qershor të vitit 2013. Westerwele do të informohet edhe për situatën politike në vend. Pritet të shqyrtohen edhe mundësitë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve.

“Maqedonia shihet si një nga partneret kyçe të vendeve nga Ballkani Perëndimor. Në pajtim me partnerët evropianë, ministri Westerwele do ta shfrytëzojë vizitën për vërtetimin e pritjeve të ndërlidhura me proceset reformuese në vendet e rajonit dhe progresin e tyre”, thuhet në kumtesën e Ambasadës.

Westerwele në Maqedoni do të vijë nga Shqipëria, të cilën do ta vizitojë në kuadër të mini turneut të tij në rajon. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button