Biden dhe Erdogan thanë se kanë pasur bisedime “produktive”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën (14 qershor) se ka zhvilluar bisedime “pozitive dhe produktive” me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Të dy liderët u takuan në Bruksel pasi morën pjesë në një samit të NATO-s. Biden tha se pas bisedimeve me Erdoganin, ekipet e tyre do të vazhdojnë punën për të zbatuar ato për të cilat janë marrë vesh, transmeton REL. 

“Unë kam besim se do të bëjmë përparim të vërtetë”, tha ai.

Mirëpo të dy liderët nuk dhanë hollësi se për çfarë janë marrë vesh, derisa lista e mospajtimeve mes dy vendeve është bukur e gjatë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së Joe Biden në vitin 2016. Në atë kohë Biden ishte nënpresident i SHBA-së.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shfaq optimist pas bisedimeve, megjithëse nuk konfirmoi nëse është arritur ndonjë përparim i madh në lidhje me mospajtimet mes dy vendeve për blerjen e armëve ruse nga ana e Turqisë, situatën në Siri dhe Libi si dhe çështje tjera, raporton Reuters.

Ai tha se “bisedimet ishin produktive dhe të sinqerta”.

“Fushat e bashkëpunimit mes nesh janë më të mëdha sesa problemet”, tha Erdogan.

Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe brenda NATO-s, ka zemëruar aleatët e saj në aleancën ushtarake perëndimore pasi ka blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore si dhe ka ndërhyrë në konfliktet në Siri dhe Libi.

Uashingtoni tashmë e ka hequr Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35 dhe ka vendosur sanksione mbi Turqinë për shkak të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë.

“Për çështjen e sistemit rus S-400, unë i thashë (Bidenit) të njëjtën gjë që kisha thënë edhe në të kaluarën”, tha Erdogan.

Turqia gjithashtu ka mosmarrëveshje me Greqinë dhe Qipron për territorin në Mesdheun Lindor.

Biden në anën tjetër e ka hidhëruar Erdoganin pasi ka njohur si gjenocid vrasjen e armenëve më 1915 nga ana e Perandorisë Osmane si dhe ka kritikuar Turqinë për mosrespektim të të drejtave të njeriut.

Kritikat amerikane janë shtuar pasi Turqia u largua nga Konventa e Stambollit, që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button