Bullgari, protesta për çmimin e lartë të energjisë, qeveria jep dorëheqje

Kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe kabineti i tij qeveritar sot dhanë dorëheqje, pas protestave masive në mbarë vendin kundër masave të kursimit dhe çmimit të lartë të energjisë elektrike.

Vendimi për dorëheqje u kumtua nga kryeministri bullgar, Borisov, ka informuar Reuters. “Ne kemi dinjitet dhe nder. Populli na ka dhënë besimin dhe pushtetin dhe ne sot i kthejmë atë”, theksoi Borisov. 

Ai bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në qeverinë kalimtare, para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për muajin korrik të këtij viti. Borisov në fjalimin e tij në Parlamentin bullgar me rastin e dorëheqjes nënvizoi se nuk do të marrë pjesë në një qeveri, në të cilën policia rrah popullin. 

Partia qeveritare e qendrës së djathtë e kryeministrit Borisov fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, ndërsa së fundi ka humbur përkrahjen për shkak të situatës së përkeqësuar ekonomike, më e rënda në dhjetëvjeçarin e fundit në Bullgari. 

Analistët bullgarë kanë theksuar se në vend po mbretëron një gjendje revolucioni popullor pas shtrenjtimeve, sidomos të energjisë elektrike dhe rënies ekonomike.

“Faturat e energjisë nga kompania elektroenergjetike CEZ të këtij muaji janë dyfishuar në krahasim me muajin e kaluar dhe kjo situatë ka nxitur protesta në mbarë vendin, që po zgjasin tashmë dhjetë ditë. Ka nisur të krijohet një situatë e revolucionit popullor. Njerëzit refuzojnë që ata ti drejtojnë monopolistë dhe oligarkë”, ka theksuar politikologu i njohur bullgar, Evgenij Dajnov.

Lajme të ngjashme

Back to top button