“Dostoinstvo” kundër Talat Xhaferit si ministër i mbrojtjes – le të bëhet ministër i bujqësisë!

Patriotët që kanë mbetur në mesin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së duhet të votojnë kundër propozimit të kryeministrit Nikolla Gruevski, që komandant “Forina”, gjegjësisht deputeti aktual i BDI-së Talat Xhaferi të bëhet ministër i mbrojtjes, kërkoi sot para Kuvendit një grup “branitellësh”, të udhëhequr nga kryetari i “Dostoinstvo”-s, Stojançe Angellov.

Ata ndanë broshura ku është shkruar biografia e Talat Xhaferit, që nga periudha e konfliktit të vitit 2012, si dhe disa fragmente nga Kodi penal për atë se çfarë veprash ka bërë Talat Xhaferi, edhe pse pjesëtarët e UÇK-së janë amnestuar.

“Kryeministri Nikolla Gruevski nga VMRO-ja e propozon komandant Talat Xhaferin nga UÇK-ja për ministër të armatës maqedonase. Po e njëjta armatë kundër të cilës Talati ka luftuar në vitin 2001. Po e njëjta armatë luftëtarët e së cilës Talati i vriste ose jepte urdhëra që të vriten. Nëse Talati aq shumë ka dëshirë që të bëhet ministër, le të bëhet ministër i bujqësisë. Vënia e tij për ministër të mbrojtjes është vetëm hudhje kripe mbi plagë” – deklaroi Angellovi.

Sipas tij, fakti që Ministria për mbrojtje tashmë ka caktuar ceremoni për pranim-dorëzimin e funksionit ministër i mbrojtjes për Talat Xhaferin, ndërsa Kuvendi akoma nuk e ka votuar atë, flet vetëvetiu për gjendjen aktuale politike dhe pafuqinë e VMRO-DPMNE-së për t’iu kundërvënë BDI-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button