Kosovë, të rinj shqiptarë dhe serbë diskutojnë për pajtimin dhe bashkëjetesën

Studenti Fisnik Topalli nga Ferizaji thotë se një javë bashkëpunim me të rinj nga komuniteti serb i kanë ndihmuar të shohin se si jetojnë ata, si e ndjejnë veten në Kosovë dhe si t’i shohin gjërat nga këndvështrimi i tyre.

Tridhjetë të rinj nga komuniteti shqiptar dhe serb në Kosovë të moshës prej 16 deri 30 vjeç kanë shkëmbyer përvoja dhe ide, si dhe kanë mësuar më shumë në lidhje me pajtimin, ballafaqimin me të kaluarën, dialogun ndërkulturor dhe aftësi të tjera komunikimi në Programin e Shkëmbimit Rinor, raporton Anadolu Agency (AA).

Ngjarja u organizua nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR). Gjatë shkëmbimit, pjesëmarrësit u ndanë në 4 grupe: tematikë të teatrit, prodhim të videos, fotografisë dhe tregimit të ngjarjeve, për të përdorur forma arti dhe për të bërë projekte të përbashkëta si një medium për dialog dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin. Po ashtu grupet u përdorën me synim për të kundërshtuar bashkërisht narrativat nacionaliste që ekzistojnë në shoqëri dhe njëkohësisht për të promovuar pajtimin.

Projektet e tyre u ekspozuan sot në Prishtinë ndërsa të rinjtë folën para publikut lidhur me përvojën e tyre të bashkëpunimit me të rinj me prejardhje të ndryshme.

Studenti Fisnik Topalli nga Ferizaji thotë se një javë bashkëpunim me të rinj nga komuniteti serb i kanë ndihmuar të shohin se si jetojnë ata, si e ndjejnë veten në Kosovë dhe si t’i shohin gjërat nga këndvështrimi i tyre.

Ai thotë se ka qenë i motivuar të lexojë më shumë se si të arrihet deri në një pajtim, duke mos u bazuar në të kaluarën.

“I kam mësuar disa gjëra të reja që tregojnë se si mund ne të arrijmë të jetojmë së bashku. Krahasimi i krimeve ka qenë një nga gjërat që kemi mësuar, për të cilën nuk mendoj që duhet të bëhet fare. Kam lexuar për këtë çështje dhe shumë herë kam parë shumë numra. Por, nëse bazohesh shumë në numra, mund të fillosh të mendosh vetëm për hakmarrje dhe nuk të dërgon diku tjetër”, tha Topalli, i cili shton se e kupton gjendjen e rëndë të njerëzve të afektuar nga krimet.

I riu Miodrag Zhivkoviq 18 vjeçar nga komuniteti serb që jeton në Graçanicë është një nga pjesëmarrësit në këtë projekt.

Ai u shpreh mirënjohës që ka pasur mundësinë të takojë të rinj shqiptarë, me disa nga të cilët vazhdon ende të mbajë kontakt.

Miodrag tregon se për një kohë ka jetuar në fshatin Uglar ku kishte fqinjë shqiptarë dhe rrinte me ta, por edhe tani ai thotë se ka shumë shoqëri dhe miq shqiptarë.

Porosia ime kishte me qenë që ne të rinjtë duhet ta krijojmë paqen dhe e ardhmja mbetet në ne, që të ecim drejtë të ardhmes dhe të mos kthehemi prapa në të kaluarën”, theksoi Miodrag.

Në bazë të përllogaritjeve të bëra në Kosovë gjatë numërimit të popullsisë, përbërja e komunitetit serb përbën rreth 3 për qind të popullsisë totale të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button