Renault Clio R.S. më i shpejtë se modeli aktual

Prodhuesi i njohur i veturave “Renault” këto ditë i publikoi detajet e reja për modelin që do të arrijë së shpejti, atë Renault Clio R.S. dhe e konfirmoi që kjo makinë do të jetë më e shpejtë dhe njëherësh edhe më e lehtë sesa paraardhësi.

Motori i tij 1.6-litra, 4-cilindërsh turbo do të zhvillojë rreth 197 KF dhe 240 Nm, duke potencuar këtu se momenti më i madh rrotullues është në dispozicion nga 1.750 deri 5.500 rr/min. Prodhuesi francez e bëri të ditur që ky automobil me peshën prej 1.204 kilogramë do të përshpejtojë deri në 100 km/h për 6.7 sekonda dhe kështu do të jetë për 0.2 sekonda më i shpejtë se modeli aktual.

Tri mënyra të ngasjes

Motori do të jetë i pajisur me ndërruesin me 6-shpejtësi me lidhje të dyfishtë, ndërsa ngasësit në dispozicion do të kenë amortizatorët dhe kompresorët hidraulik të cilët mund të gjendet vetëm në makina për gara. Renault Sport po ashtu do të ofrojë tri mënyra të ngasjes: Normal, Sport dhe Race. Të gjitha këto mënyra kontrollojnë motorin, pedalen për gaz dhe ESP sistemin i cili mundet në tërësi të fiket. Ndryshimet vizuale përfshijnë edhe allu-fellnet prej 17 dhe 18-inç me Goodyear Eagle F1 gomat, dhe parakolpi i parmë “F1 blade”, difuseri i pasmë Renaultsport, gypat e dyfishtë për hedhjen jashtë të gazrave dhe pragjet e veçanta.

Opsione interesante

Blerësit mund të zgjedhin shasinë “Cup” e cila pjesën e poshtme e ulë për 3 mm, ndërsa së bashku me këtë vijnë edhe rrotat 18-inç të Renaultsport me ngjyrë të shkëlqyeshme të zezë dhe gomat Dunlop Sport Maxx. Pajisjet standarde përfshijnë edhe Bluetooth, USB, ekranin 7-inç me TomTom navigacionin, lëvizjen pa çelës dhe ulëset e parme Clio Renault Sport. Telemetria në pllakën kontrolluese e cila e lexon kohën e kaluar, momentin rrotullues dhe të dhënat për përshpejtimin është vetëm njëra nga opsionet interesante. Ky automobil mund të porositet në muajin prill, ndërsa ai në treg do të gjendet që nga muaji qershor. Në fund duhet cekur se kjo nuk është makina e vetme që do të arrijë nga ky prodhues gjatë këtij viti, pasi që deri në fund të vitit 2013 pritet të gjenden në treg edhe disa modele nga “Renault”.

Lajme të ngjashme

Back to top button