Çfarë ndodh me studentët tanë?

Studentët e Maqedonisë, sidomos ata shqiptarë janë të druajtur, pa vetiniciativë dhe nuk kanë mendje revolucionare. Nëse në të kaluarën studentet kanë rrëzuar regjime, kanë ndryshuar sisteme dhe kanë iniciuar një sërë procesesh pozitive, sot, brumi i ardhshëm akademik le përshtypjen se “nuk mund ta nxjerrë mizën nga dhalli”. Këtë ‘diagnozë’ e japin vetë studentët ,psikologët dhe profesorët me të cilët foli Portalb.

Të ngujuar në biseda boshe politike, pa qëllim të qartë dhe vizion për atë se ku duan të jenë.
“Studentët tanë,duke mos e përfshirë një pjesë të vogël të tyre, janë shume të ngurtë, të druajtur, nuk veprojnë, nuk marrin iniciativë për të vepruar. Sot studentët janë më te heshtur se kurrë” thotë për Portalb psikologu Muhamed Jonuzi .

“Këtë jo-iniciativë të studentëve e shoh çdo ditë dhe jam kritik ndaj këtij pasiviteti të studentëve. Atyre u mungon ndjenja për të vepruar,  qëndrojnë si ishuj të izoluar, janë pasiv dhe gjithçka e pranojnë ashtu siç ju servohet, nuk mundohen të ndryshojnë gjë” thotë profesori universitar Salajdin Salihu

Nga ana tjetër, studentët arsyetohen se fajtor për këtë pasivitet dhe demotivim është sistemi i cili ende pa hapur gojën të sanksionon dhe frika ua humb vullnetin.

“Unë po filloj nga vetja nuk mundem që të shpreh revoltën time për çfarë do çështje ngaqë e di se do të pasojnë sanksionimet, për këtë jam dëshmitare kur disa kolege të mia kanë tentuar që të flasin” thotë për Portalb, Florinda nga fakulteti juridik në USHT.

“Thjeshtë, ka shumë fjalë por pak vepra, sa po ndërmarr diçka të gjithë më lënë vetë! “ thotë Artani nga fakulteti i edukatës fizike në USHT.

“Duhet që të rinjtë të zhvishen nga vetëdija tribale dhe ta respektojnë atë që ne i themi frymë të konkurrencës sepse vetëm kështu ne mund të ecim para si shoqëri” shton mes tjerash profesor Salihu.

Ndërkaq psikologu Jonuzi apelon te të rinjtë shqiptarë të jenë kooperativ dhe të bashkëpunojnë.

“Të jenë vigjilent sepse ato munden, kjo është mosha ku ato munden të prekin kohën që rinia jonë të jetë e suksesshme” përfundon Jonuzi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button