Thaçi kërkon seancë të jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në pamundësi që t’i informoj deputetët në seancën e sotme, për shkak të situatës së krijuar në sallën e Kuvendit, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrisë së Kosovës, theksohet se Thaçi ka shfrytëzuar të drejtën e tij kushtetuese dhe ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit dhe nga kryesia e Kuvendit që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme.

“Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do t’i informoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për takimin e pestë të zhvilluar në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës me kryeministrin e Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç, të mbajtur më 19 dhe 20 shkurt në Bruksel. Për shkak të vizitës në Shqipëri, kërkohet që seanca të mbahet me datën 1 mars duke filluar nga ora 19:30”, theksohet ndër të tjera në këtë njoftim.

Gjatë seancës së sotme plenare, ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi të informonte deputetët për takimin e pestë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, por fjalimi i tij është penguar nga një performancë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në momentin e daljes së kryeministrit Thaçi në foltoren e Kuvendit, deputetë të këtij subjekti kanë dalë para tij duke mbajtur në duar pankartën me mbishkrimin “Kosova e Hashimit”./Kohaditore

Lajme të ngjashme

Back to top button