RMV, kovid-19: dje u vaksinuan 12.606, sot do të vaksinohet edhe ministri Filipçe

Në Maqedoninë e Veriut dje janë vaksinuar gjithsej 12.606 qytetarë. Ndërkohë sot, pritet që kundër kovid-19 në orën 12:00 në sallën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup të vaksinohet edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, transmeton Portalb.

Pas vaksinimit, është paraparë që të jepen deklarata për mediat.

Kujtojmë se, kryeministri Zoran Zaev është vaksinuar sot në sallën sportive “Boris Trajkovski”, me vaksinën Sinofarm. Ai tha se përzgjedhja e vaksinës është bërë rastësisht, përkatësisht ajo që ka qenë në dispozicion kur është vaksinuar kryeministri.

“Sapo kreva obligimin tim personal por edhe qytetar, mora dozën e parë të vaksinës Sinofarm, përkatësisht ajo që momentalisht ishte në dispozicion kur më erdh radha, në përputhje me planin nacional për imunizim. Ndjehem shkëlqyeshëm dhe do ta vazhdoj agjendën time ditore edhe në orët e pasdites së sotme. Me dozat e vaksinës që arritën javën e kaluar, si dhe me të gjitha sasitë e dakorduara dhe të konfirmuara që do të arrijnë në periudhën e ardhshme besoj se deri në fillim të verës do të kemi përqindje të lartë të popullatës që do të jetë e vaksinuar dhe ajo do të sjellë në ndryshim të pasqyrës së epidemisë te ne”, deklaroi kryeministri pasi mori dozën e parë të vaksinës Sinofarm.

Vaksinimi po zhvillohet në mënyrë të pandërprerë në të gjitha pikat në të gjithë vendin. Interesimi për vaksinim po rritet çdo ditë, dhe aktualisht mbi 256.346 qytetarë janë regjistruar përmes platformës në internet vakcinacija.mk.

Në pikat e vaksinimit në vend, përfshirë me ditën djeshme gjithsej janë vaksinuar 84.312. Dozën e parë të vaksinës dje e pranuan 10.135, ndërsa dje, gjithsej u vaksinuan 12.606 qytetarë. Në vend, gjithsej vaksinim dhe rivaksinim kanë bërë 104.962 qytetarë, ndërsa dy doza kanë marrë 20.650 qytetarë. Sipas shifrave të fundit, 28% e popullsisë mbi moshën 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Vaksinimi kryhet në përputhje me Planin Kombëtar të Imunizimit. Po vaksinohen të rriturit, qytetarët të cilët kanë shprehur interes për vaksinim në faqen e internetit vakcinacija.mk, kurse vaksinohen edhe persona të punësuar në infrastrukturën kritike. Vaksinimi masiv zhvillohet në disa qytete të vendit, në A1 Boris Trajkovski në Shkup, në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir dhe Ohër.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të regjistrohen masivisht në vakcinacija.mk pasi është mënyra më e lehtë dhe e shpejtë për tu vaksinuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button