Frika nga terorrizmi, vendet e Lojërave Olimpike në Japoni do të jenë zona të ndaluara për fluturim

Japonia njoftoi se vendet e Lojërave Olimpike të Tokios do të shënohen si zona të ndalimit të fluturimeve këtë verë për të ndihmuar në mbrojtjen kundër terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Transportit e vendit në një deklaratë tha se zona e ndalimit të fluturimeve do të zbatohet nga 21 korriku deri më 5 shtator “si pjesë e masave për të parandaluar sulmet e mundshme terroriste”.

Olimpiada e Tokios 2020, e shtyrë për shkak të pandemisë së COVID-19, është planifikuar të mbahet midis 23 korrikut dhe 8 gushtit. Lojërat paraolimpike do të pasojnë nga 24 gushti deri më 5 shtator, njoftoi Kyodo News.

“Fluturimet e rregullta që nisen ose mbërrijnë në aeroportin e Tokios Haneda nuk do t’i nënshtrohen kufizimit”, njoftoi ministria.

Ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së lojërave gjithashtu do të jenë të mbrojtura.

Më tej theksohet se ngjarjet olimpike jashtë kryeqytetit, si maratonat në Sapporo, “gjithashtu do t’i nënshtrohen një zone të ndalimit të fluturimeve”.

Organizatorët kanë njoftuar masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e infeksioneve të COVID-19 midis sportistëve, zyrtarëve dhe vendasve.

Në tri ditët e para në Japoni, të gjithë zyrtarët vizitorë do të testohen çdo ditë dhe për dy javët e para, ata nuk lejohen të hanë me zyrtarë të tjerë të lojërave.

Atletët dhe trajnerët do t’u nënshtrohen testeve të bazuara në pështymë çdo ditë. Kufizime janë vendosur edhe për mjetet e transportit për zyrtarët vizitues.

Për më tepër, të gjithë pjesëmarrësve jashtë shtetit u është kërkuar të monitorojnë shëndetin e tyre 14 ditë para udhëtimit në Japoni.

Japonia deri më tani ka raportuar 609.603 raste me COVID-19, përfshirë 10.466 vdekje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button