Jankullovska: Gjykatësi hetues do të vendosë se a do të informojë për fatkeqësinë e Mlladenovit

Hetimi për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov është në duart e gjykatësit hetues dhe MPB-ja nuk do japë informata për zhvillimin e hetimeve, deklaroi sot ministresha për punë të brendshme, Gordana Jankullovska.

“Ekspertizat e krim-teknikës tashmë kanë përfunduar dhe gjatë ditës ato do t’i prezantohen gjykatësit hetues i cili duhet të vendosë, sipas vlerësimit të tij dhe nga informatat të cilat ndoshta i ka mbledhur nga institucione të tjera, se kur, si dhe a do ta informojë opinionin për hetimet”, tha Jankullovska.

Ajo nuk u përgjigj në pyetjen se, në bazë të hetimit të MPB-së, a është konstatuar se në aksident ka qenë i përfshirë edhe ndonjë automjet tjetër. Sipas ministreshës, me ekspertizën e krim-teknikës, policia e ka kryer detyrën e saj dhe i është përgjigjur urdhërit të dhënë nga gjykatësi hetues. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button