Trapatoni: Shpresoj të shoh spektakël sonte në Munchen

Giovano Trapattoni ka folur në prag të super-sfidës së sotme ndermjet Bayernit dhe Juventusit. Trapatoni i cili ka stërvitur dikur të dyja këto skuadra, ka thënë se për eksperiencën bavareze ende ndihet i habitur.

“Nëse shkova që të trajnoja atje, ishte për meritë të tre personave: Rummenige, Beckenbauer dhe Hoenes. Madje ata erdhën në shtëpinë time që të më bindnin. Unë që zakonisht jam shumë racional, atëherë veprova me instinkt, edhe pse logjikova jo pak për atë mundësi. Kujtimi më i bukur që kam me Bayernin është titulli në kampionat dhe kupë në vitin e parë të punës sime, pasi e rindërtova praktikisht nga e para ekipin, e kjo ishte një ndjesi shumë e bukur”, ka thënë Trapattoni.

Ai ka folur edhe për Bayernin e sotshëm. “Tashmë ata janë bërë të fortë, një skuadër me lojtarë nga të gjitha vendet, që ka gjithmonë uri për të fituar dhe ka të sajën edhe eksperiencën e nevojshme për të qenë një nga më të mëdhatë në nivel evropian. Ka një organizim që në nivel botëror pëlqehet nga shumë dhe ka një kapacitet të madh që të programojë sezonet: tashmë është në të njëjtin nivel si tri ekipet tona të mëdha, Milani, Juventusi dhe Interi. Unë nuk mendoj se ky Bayern ka pika të dobëta”.

Juventusi, dhe në përgjithësi futbolli italian, ka treguar që ka mjetet dhe aftësitë e nevojshme për të kaluar ekipet gjermane dhe angleze.

“Ndoshta ekipet italiane e kanë ndonjë limit, por ato janë shumë të kujdesshme ndaj detajeve. Ndoshta nuk e kanë forcën e tyre, por mund të fitojnë duke përdorur dinakërinë. Unë mendoj se duke përdorur ndonjë detaj të veçantë, “Zonja e Vjetër” mund të arrijë që ta zgjidhë këtë takim dhe të mund ta fitojë duelin me bavarezët. Duhet thënë se tani Juve e ka arritur nivelin e tij, shkëndija në brendi të ekipit të Contes tashmë është ndezur prej kohësh, sidomos në kampionatin italian. Unë mendoj se bardhezinjtë duhet që të luajnë në këtë ndeshje me shumë vëmendje, pa e nënvlerësuar kundërshtarin, por pa e pasur frikë atë. Jam i mendimit se fakti që ndeshja e parë do të luhet në transfertë mund të jetë në avantazh për bardhezinjtë. Zakonisht në takimin e kthimit luhet kualifikimi, dhe që ta bësh përpara publikut tënd është gjithmonë gjëja më e mirë”, ka përfunduar Trapattoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button