Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit: SHBA janë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Prajs tha se spekulimet e paradokohshme të pajustifikuara në lidhje me ndryshimin e kufijve të Ballkanit përgjatë vijave etnike rrezikojnë të nxisin paqëndrueshmëri në rajon dhe të ngjallin kujtime të tensioneve të kaluara, informon Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase, raporton Portalb.mk.
Shtetet e Bashkuara janë kundër ndryshimit të kufijve të Ballkanit dhe ata e riafirmuan pozicionin e tyre pasi u shfaq një non-pejpër (non-paper) që qarkullon midis zyrtarëve të BE-së, për të cilin ministri i jashtëm slloven Anzhe Logar përsëriti sot se nuk ekziston, megjithëse disa media ia atribuuan atë dokument qeverisë sllovene të Janez Janshës.
“E ardhmja e qëndrueshme dhe e prosperuar e Ballkanit Perëndimor duhet të bazohet në qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, demokracinë multietnike dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”, tha Ned Prajs, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA.
Në atë non-pejpër, gjoja, flitet për rishikimin e kufijve të Ballkanit dhe në versione të ndryshme që u shfaqën në media gjatë kësaj periudhe, po modelohet fati i ardhshëm i kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit theksoi se SHBA janë të gatshme të mbështesin punën e një marrëveshjeje normalizuese gjithëpërfshirëse, obligative midis Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë dhe hedh bazat për një bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm.
Lidhur me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, zëdhënësi Prajs tha se SHAB i vlerësojnë partneritetet e tyre me aleatët e fundit të NATO-s, duke shtuar se ata synojnë të forcojnë këtë bashkëpunim përmes trajnimeve, stërvitjeve, vendosjes dhe prokurimeve të përbashkëta.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit gjithashtu thekson që SHBA po punojnë me bashkësinë ndërkombëtare për të mbështetur Bosnje e Hercegovinën në realizimin e reformave që do t’u mundësojë atyre të përparojnë dhe të sigurojnë statusin e kandidatit për BE, duke përfshirë reformën zgjedhore.
Prajs kujtoi se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), e krijuar 25 vjet më parë sipas Marrëveshjes paqësore të Dejtonit, ka dhënë kontribut të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin rolin e rëndësishëm të OHR në avancimin e agjendës 5 + 2, me një fokus të ri në anti-korrupsion si çelës për konsolidimin e shtetit të së drejtës.