Dibër, Kolari, Lata dhe Dika intensifikojnë takimet me qytetarët

Kandidatët për kryetar të komunës së Dibrës, Ibrahim Kolari, kandidat i pavarur, Ruzhdi Lata nga BDI dhe Mexhit Dika nga PDSH kanë vazhduar me takimet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale. 

Kandidati i pavarur Ibrahim Kolari ka vizituar fshatrat Kosovrast, Zhirovnik dhe Otishan, ku u ka premtuar banorëve mbështetjen e tij dhe investime në sferën e infrastrukturës dhe atë veçanërisht ka premtuar se qendrën e Dibrës do ta ringjallë dhe do ta shëndrrojë në një vend shumë atraktiv duke e krijuar atë edhe si simbolin e identifikimit të qytetit. Kolari ka kërkuar mbështetje nga rinia dibrane duke u thënë atyre se me ardhjen e tij në krye të komunës së Dibrës, rinia do të ketë hapësirë dhe mbështetje të madhe për realizimin e projekteve dhe dëshirave të tyre me interestë përgjithshëm.

Ruzhdi Lata nga BDI ka vizituar fshatrat e rajonit të Dibrës si dhe ka realizuar vizita të shumta brenda në qytet, ku është takuar me përfaqësuesit e komunitetit rom në Dibër. Kandidati i BDI-së Ruzhdi Lata, nesër do të takohet me forumin e gruas ku do të diskutoj në lidhje me problemet dhe hapësirat që do ti jepen gruas Dibrane me kryesimin e këtij të fundit në komunën e Dibrës. Lata ka premtuar investime të shumta infrastrukturore ku ka theksuar se do të ndërtojë një Fabrikë për përpunimin e qumështit dhe një tjetër për ujin, ndërsa gjithashtu ka premtuar se do të investojë në ndriçimin publik në Dibër duke e shëndrruar atë në qytet të ndriçuar njejtë me qytetet më të mëdha në Maqedoni. 

Edhe kandidati i PDSH-së Mexhit Dika ka zhvilluar takimet e tija me qytetarët e Dibrës, ai dje ka qëndruar në fshatrat Otishan, Xhepisht dhe Kosovrast. Dika ka theksuar se Dibra ka nevojë për një rinovim dhe rifreskim të përgjithshëm, duke ju premtuar se nëse ai do të jetë kryetar i ardhshëm i Dibrës do ti kushtojë vëmendje të posaçme edhe rrethinës duke investuar në infrastrukturën rrugore dhe duke u mundësuar të gjithë banorëve qasje të barabartë dhe komunikim të drejtpërdrejt me organet lokale lidhur me nevojat dhe problemet e tyre.  

Lajme të ngjashme

Back to top button