Zeqiri mban konventën, Bexheti në malësi, Arifi në treg

Tre kandidatët për kryetar të Komunës së Tetovës vazhdojnë aktivitetet e tyre elektorale.

Izet Zeqiri mban konventën promovuese
Nesër do të mbahet konventa promovuese e Izet Zeqirit  dhe kandidatëve për këshilltarë për komunën e Tetovës nga radhët e RDK-së.

Para qytetarëve të Tetovës kandidati Izet Zeqiri, bartësi i listës Hamdi Saiti dhe kandidatët për këshilltarë komunalë nga radhët e RDK-së, do të shpalosin Platformën zgjedhore për komunën e Tetovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Konventa promovuese do të mbahet në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me fillim në ora 19:00.

Bexheti viziton banorët e malësisë së Sharrit
Dje kandidati për kryetar të Tetovës, nga radhët e PDSH-së, Sadi Bexheti ka vizituar tre fshatrat e malësisë së Sharrit: Vicën, Sellcën dhe Llacën. 

Bexheti ka bashkëbiseduar me banorët e kësaj ane të malësisë për projektet e realizuara gjatë qeverisjes katërvjeçare dhe për punët që do të bëhen në mandatin e ardhshëm. 

“Në fshatin Vicë gjatë mandatit të ardhshëm do të ndërtohet fusha e futbollit, muri mbrojtës përgjatë rrugës në fshat, do të bëhet sanimi i një pjese të rrugës që është rrënuar dhe do të ndërtohet ujësjellësi” ka premtuar Bexheti.

Teuta Arifi viziton tregun dhe butiqet

Kandidatja për kryetare të Tetovës, vazhdon fushatën e saj elektorale duke vizituar lagjet e Tetovës.

Ajo sot do të realizojë një takim me shitësit në  tregun e gjelbër të Tetovës. Më vonë Arifi do të vizitojë edhe rrugën e butiqeve në të njëjtin qytet.

Lajme të ngjashme

Back to top button