Tiranë, ministri i drejtësisë kërkoi burgim të përjetshëm për gjakmarrjen

Ministri shqiptar i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi sot se do të merren masa të ashpra për të ndërprerë fenomenin e gjakmarrjes, duke parashikuar dënime të rënda.

Në një mesazh në Facebook, Halimi thekson se një person që vret për gjakmarrje duhet të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

“Unë gjykoj se një person i cili vret duke përdorur institutin e gjakmarrjes nuk duhet të dënohet më pak se 40 vjet deri në burgim të përjetshëm. E gjithë shoqëria duhet të reagojë për ta ndërprerë këtë fenomen, por ligji duhet të jetë i ashpër ndaj atyre që mendojnë ta përdorin këtë mekanizëm, gjakmarrjen për të vazhduar ritin me tronditës në Europë”, shkruan Halimi, transmeton gazeta Shekulli.

Sipas tij, kjo do të jetë paketa më e ashpër ndaj krimit urban, në këto 20 vjet, duke synuar reduktimin e këtyre fenomeneve tronditëse.

Halimi thekson se historia e lindjes së gjakmarrjes është e lidhur ngushtë sa me mungesën e rregullave dhe shtetit e ligjit, aq edhe me ata që e inkurajonin atë. Madje nëse nuk kryeje gjakmarrjen të gjithë të përçmonin, ashtu si Gjorgun, tek i shërbenin kafen nën dorë.

“Inkurajimi i këtij fenomeni makabër edhe nga vetë shoqëria, solli një situatë absurde në këtë vend. Tashmë është koha të presim me gërshërët e ligjit këtë fenomen, të ndërpresim inkurajimin dhe, për më tepër, të ndëshkojmë ashpër ata që përdorin institutin e gjakmarrjes për të  marrë jetë të tjera njerëzish”, shkruan Halimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button