Kriza politike, apelet e ndërkombëtarëve nuk përfillen

Shqetësuese janë deklaratat që vijnë nga ndërkombëtarët në lidhje me krizën politike në Maqedoni. Përpos prezencës së shtuar të tyre në Maqedoni dolën dhe me një deklaratë të përbashkët duke kërkuar zgjidhje urgjente të mosmarrëveshjeve politike për të mos rrezikuar ardhmërinë evropiane të vendit. 

Por si duket apelet e tyre nuk zënë vend në veshin e opozitës maqedonase e cila javë me radhë proteston nëpër rrugë nuk e ka mendjen të kthehet në Parlament e as më pak të merr pjesë në zgjedhjet lokale, duke vendosur si kusht organizmin e atyre të parakohshme.
Nga ana tjetër, prania e madhe e euro-deputetëve në vend nuk kanë luhatur as qëndrimin e kryeministrit Nikolla Gruevski i cili tha se nuk do të organizojë zgjedhje të parakohshme ndërsa akuzoi LSDM-në se do të jetë fajtore që Maqedonia mund të merr raport negativ nga Brukseli. Në të njëjtën linjë qëndroi dhe ministri i jashtëm Nikolla Poposki duke theksuar se është rrezikuar ardhmëria evropiane e Maqedonisë.  

Por deputetja e partisë shqiptare në pushtet, Ermira Mehmeti-Devaja  është shprehur optimiste duke thënë se parashikimet e Gruevskit janë tejet negative dhe se Maqedonia nuk do të merr raport negativ.

 “Nuk do të tërhiqet rekomandimi si që thotë Gruevski por do të marrim një raport shumë shqetësues dhe jo me tone diplomatike si viteve të kaluara. Komisioni Evropian kishte shumë optimizëm se me stimulimin e tyre mund të kishte përparim, se duke lënë përshtypje se mund ta zgjidhim emrin ata shikuan nëpër gishta kualitetin e demokracisë tonë, e tani frikohen se jemi kthyer pas. Por sidoqoftë nuk do ta tërheqin rekomandimin” ka thënë Mehmeti-Devaja për NovaTv.

Enisa Bajrami nga Instituti Alternativa Liberale është e mendimit se vizitat e ndërkombëtarëve në Maqedoni janë gjithmonë të rëndësishme, por kohët e fundit efekti i tyre vihet në pikëpyetje, sepse ata shkojnë e vinë gjatë gjithë vitit dhe situata në vend nuk ndryshon aspak. 

“Gjuha e tyre diplomatike nuk është mjaftueshme për tejkalimin e krizës që përballemi. Nuk do të thoja që duhet dhe sanksione më të mëdha ti vendosin Maqedonisë si dënim për të zgjidhur problemet sa më shpejt, sepse mendoj që vendi ynë është mjaftueshëm i dënuar duke qëndruar kështu prapa dyerve të BE dhe NATO tash një kohë të gjatë” thotë Bajrami.

Sipas saj, Maqedonia ka kaluar disa herë në situata tepër të vështira politike apo socio-shoqërore dhe përsëri në fund ka marrë raport pozitiv nga Bashkimi Evropian. 

“Ne jemi dëshmitarë që para një viti, Maqedonia u tronditë nga kriza etnike mes Shqiptarëve dhe Maqedonase ku si pasoj patëm viktima me jetë, adoleshent të rrahur, tensione tjera qe lindën po nga ky problem, e në fund përsëri raport progresi ishte pozitiv, madje më pozitiv se vitet e kaluara. Kështu që nuk do të ishte ndonjë çudi e madhe nëse edhe këtë vit e njëjta gjë do të ndodh-të marrim një raport teje pozitiv për reformat e “arritura” të cilat as vet nuk dimë cilat janë” përfundon Bajrami. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button