MASH-i nuk do t’i dënojë profesorët plagjiaturistë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk do të ndërmerr asgjë në lidhje me rastet e plagjiaturës në mesin e punimeve të doktoratës, bën të ditur për Portalb, zëvendës ministri për arsim, Safet Neziri. Neziri shton se Ministria do ti dërgon rezultatet deri te universitetet, të cilave u jepet mundësia komfor autonomisë së tyre të veprojnë ndaj të punësuarve në institucionet e larta arsimore.

“Brenda më tepër se një vit pasi që hyri në fuqi ligji për plagjiaturë, është në procedurë e sipër kontrollimi i  punimeve shkencore. Në fund ne si Ministri nuk do të ndërmarrim masa konkrete, por inspektorati shtetëror i arsimit, mund të paraqitet dhe ti njofton institucionet për hapat e mëtutjeshëm. Nëse universiteti merr informatë për punëtorin e ndonjë institucioni të lartë arsimor dhe shkencor, atëherë sipas autonomisë së tij, ndërmerr hapat e mundshëm“, për Portalb është shprehur Neziri

Në lidhje me atë se cila është metodologjia e evaluimit të punimeve të doktoratës dhe sa mund të jemi të sigurtë në precizitetin e softuerit të Ministrisë, Neziri ka shtuar:

“Softueri kontrollon edhe në gjuhën shqipe edhe në atë maqedonase. Softueri është i konstruktuar në atë mënyrë që nuk mund të bën gabime”
Pas informacionit të ministrisë në lidhje me punimet e doktoratës, reagojnë dhe përfaqësuesit akademik. Profesori Mersel Bilalli, komenton këtë dukuri.

“Sidomos viteve të kaluara kemi pasur plagjiaturë, dhe ajo është një sëmundje kancerore që duhet të shërohet. Sidoqoftë, çdo gjë duhet të ketë procedurë reale për tu sjellë konstatim me vend, dhe nëse dikush mendon se pa të drejtë i është vlerësuar tema si plagjiat, ekziston procedura për reagim”, është shprehur për Portalb profesori Mersel Bilalli. 

Në këtë frymë, çështjes në fjalë i qaset edhe profesori Mexhait Pollozhani. Ai rikujton se veprimi i tillë është në kundërshtim si me normat shkencore, ashtu edhe me ato ligjore, të cilat rezultojnë me konsekuenca përkatëse.  

“Është në kundërshtim me normat shkencore, por edhe me normat ligjore, që është e rëndësishme, pasi që këtu ndërhyn edhe ligji dhe institucionet të cilat e trajtojnë këtë”, deklaroi profesori Mexhait Pollozhani

Si më kritik ndaj këtij fenomeni, shprehet profesori Aleksandar Takovski nga Universiteti i Evropës Juglindore. Takovski është i mendimit se plagjiatura duhet të zbulohet dhe të ndëshkohet ashpër. Mirëpo, shton ai, detektimi i plagjiaturës nuk duhet të bazohet vetëm në programe kompjuterike.

“Plagjiatura duhet të detektohet dhe të sanksionohet ashpër. Këtij fenomeni duhet ti kushtohet më tepër kohë dhe kujdes qysh në hapat më të hershëm të arsimimit, pra që nga shkolla e mesme, që në staza të gjata do të rezulton me studentë më të vetëdijshëm. Por, detektimi nuk duhet të bazohet vetëm në softuerin kompjuterik. Kjo shtron pyetjen se si Ministria ka detektuar këto raste”, prononcohet Takovski për Portalb. 

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazohet në softuerin e saj të posaçëm, i cili detekton plagjiaturën në punimet e ndryshme. Kjo vegël teknologjike, ka arritur të zbulon numrin prej 240 punimeve, ndër të cilat, siç bëhet e ditur nga ministria, mbi 100 autorë janë shqiptarë, ndërsa pjesa më e madhe janë maqedonas. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button