Kriza politike po merr epilogun përfundimtar?

Pas vizitës së një sërë euro-deputetëve dhe drejtorit të Drejtorisë gjenerale për zgjerim të BE-së Stefano Sannino, sot vendin e viziton raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howitt, ai tre ditë do të qëndrojë në vend.

Kriza politike në vend ka aktivizuar ndërkombëtarët me apelet e tyre të luajnë rolin e ndërmjetësuesit mes dy partive më të mëdha maqedonase VMRO dhe LSDM të cilat ende janë me mendime të ndara për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Lideri i VMRO u shpreh kategorikisht kundër tyre ndërsa LSDM i dha afat 3 ditor për të ndërruar mendje.

Pasi që afati i zyrtarizmit të kandidaturave të zgjedhjeve lokale është LSDM mbrëmë ka mbajtur një mbledhje urgjente për të dhënë përgjigje në lidhje me pjesëmarrjen e tyre. Ata sot u shprehën se bojkoti i tyre vazhdon, ndërkaq me 16 shkurt do ta japin verdiktin përfundimtar.

Sipas gjitha gjasave, duke pasur parasysh se edhe Komisioni Evropian në krye me Stefan Fule pret që kriza të zgjidhet këtë javë, në opinion flitet se pas refuzimit primar LSDM tani mund ta pranojë kërkesën e presidentit Ivanov për formimin e një Komisioni hetimor që do të zbardhte ngjarjet e dhunshme të 24 dhjetorit në parlament por me kusht që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në shtator.

“Është e qartë se pa zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk ka dalje nga kriza politike dhe si duket edhe bashkësia ndërkombëtare dhe vetë Gruevski e ka kuptuar këtë dhe se të gjitha aktivitetet e këtyre ditëve janë në atë drejtim. Kjo domethënë se do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale dhe tani punohet vetëm në modalitetet për të arritur një situatë win-win, për mbajtjen e atyre lokaleve në mars dhe parlamentareve në qershor apo shtator më së vonti. Gjithsesi këtu nënkuptohet edhe pastrimi i listës zgjedhore dhe inkuadrimi i rekomandimeve të OBSE/OHDIR” thotë për Portalb, analisti Edmond Ademi.

Nga vullneti i dy partive për tu ‘pajtuar’ varet dhe pozitiviteti i raportit të cilin në pranverë do ta përgatit KE-ja. Nëse rezulton pozitiv atëherë hapet rruga për datë bisedimesh me BE-në dhe zgjidhje eventuale të cështjes së emrit gjatë bisedimeve me Brukselin. Këtë do ta vlerësojë vetë euro-komisari për zgjerim Stefan Fule i cili javën tjetër do të qëndrojë në Shkup. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button