Zeqiri: Skandal! Zëvendësit nga radhët e VMRO-DPMNE zëvendësuan deputetët e opozitës

Deputeti i RDK-së Izet Zeqiri, kontestoi  punën e Komisionit për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit, duke pohuar se partia në pushtet VMRO-DPMNE ka siguruar kuorum të seancës me atë që zëvendësit e anëtarëve të komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së kanë votuar në emër të anëtarëve të opozitës të cilët nuk kanë qenë prezent në seancën e komisionit. 

“Kjo është skandaloze. Ju pa kuorum e hapët seancën dhe e votuat rendin e ditës. Në seancë janë të pranishëm anëtarë të komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe zëvendës të këtyre anëtarëve nga po e njëjta parti. Zëvendës anëtari mund të ndërrojë vetëm anëtar nga partia e tij, nuk mundet zëvendës anëtari i VMRO-DPMNE-së të zëvendësojë anëtar të ndonjë partie tjetër apo të opozitës, siç është rasti këtu” tha deputeti i RDK-së Izet Zeqiri.

Në seancën e Komisionit për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit ishin prezent anëtarët dhe zëvendësit e komisionit : Ane Llashkovska, Vllatko Gjorçev, Trajço Dimkov, Dime Maxhovski dhe Vasko Pashovski, të gjithë këto deputetë të partisë në pushtet VMRO-DPMNE, si dhe kryetari i Komisionit Aleksandar Nikolovski. Në punën e komisionit nuk kishte anëtarë e as zëvendës anëtarë të partive tjera, e as të BDI-së.

Për kryetarin Nikolovski, që kuorumi u sigurua vetëm nga anëtarë dhe zëvendës të një partie është ligjërisht në rregull.

“Në aspektin formalo-ligjor nuk ka asnjë problem dhe të gjitha kushtet janë të plotësuara për t’u mbajtur seanca e Komisionit, pasi që janë prezent shumica e anëtarëve të Komisionit dhe zëvendës anëtarëve “deklaroi Nikolovski, nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Sot në rendin e ditës së Komisionit është debatimi i amandmanit pas propozimit të rregullores së re për punën e Kuvendit. Në fillim të seancës kryetari i komisionit, Nikolovski konstatoi se askush nuk ka paraqitur amandmane. Pas reagimit të deputetit Zeqiri, Nikolovksi urdhëroi pauze prej një ore me arsyetim se deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti dëshiron të mare pjesë në debatimin e komisionit, por për momentin qenka në një komision tjetër. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button