Kryeministri kosovar Thaçi dhe kryetari i Tetovës ngushëllojnë familjen Sulejmani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dërgoi sot një telegram ngushëllimi familjes Sulejmani me rastin e vdekjes së profesorit, themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani.

“E nderuara familje Sulejmani, me pikëllim e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të  profesorit të nderuar… Kontributi i tij për arsimimin e gjeneratave në Universitetin e Prishtinës, si dhe në themelimin e Universitetit të Tetovës dhe në rritjen e këtij institucioni, do të çmohet dhe e respektohet nga të gjithë,” thuhet në telegram.

“Humbja e profesorit Sulejmani është një humbje jo vetëm për institucionet ku punoi, por edhe për albanologjinë në përgjithësi. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta,” shkruan kryeministri i Kosovës në telegram ngushëllimin dërguar sot familjes Sulejmani.

Ngushëllime ka dërguar edhe kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti.

Letra e Sadi Bexhetit:

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të rektorit historik të Universitetit të Tetovës, profesor Fadil Sulejmanit. E nderuara familja Sulejmani, më lejoni të ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe më të sinqerta për humbjen e profesorit tonë të nderuar, Fadil Sulejmanit. Në këto momente dhimbjeje, ne qëndrojmë pranë jush, duke vlerësuar lartë punën e tij, misionin e tij në ngritjen arsimore të shqiptarëve të Maqedonisë dhe duke e ngritur në piedestalet më të larta punën e tij shkencore si profesor i devotshëm.

Ndarja nga jeta e profesorit tonë të nderuar, është një humbje e madhe për arsimin shqip, për përpjekjen e shqiptarëve që në rrugën më autentike të kultivojnë dhe afirmojnë vlerat arsimore dhe kulturore.

Profesori i nderuar do të mbetet në kujtesën tonë si një figurë e përndritur që me vendosmëri të jashtëzakonshme hapi rrugën e arsimimit shqip për gjeneratat e reja. U preftë në paqe! 

Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i ka dërguar letër ngushëllimi familjes së të ndjerit.

Fadil Sulejmani ka ndërruar jetë mbrëmë në moshën 73 vjeçare. Varrim i tij bëhet sot në ora 15. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button