Howitt: Dua t’i ndihmoj Maqedonisë të anëtarësohet në BE

Dhjetë ditë para debatit të komisionit për rezolutën më të re të PE-së për progresin e Maqedonisë, për të cilin janë parashtruar 203 amandamente rekorde, raportuesi Richard Howitt, prej 13 deri 15 shkurt, do të qëndrojë në Shkup në përpjekje që të ndihmojë për vendosje të dialogut politik.

“Për momentin, kur ka ndërprerje të dialogut politik midis partive, është edhe më e rëndësishme që të jem në vend, t’i dëgjoj të gjithë dhe të shoh se si procesi aderues mund t’i kthejë gjërat në rrugën e vërtetë në Shkup”, tha eurodeputeti britanik për Deutsche Welle-n.

Në pyetjen se a është optimist se do të gjendet zgjidhje për dialogun midis dy partive më të mëdha në Maqedoni, raportuesi i Europarlamentit thotë se puna e tij nuk është të jetë optimist ose pesimist.

“Puna ime është që t’i ndihmoj vendit të anëtarësohet në BE dhe t’i dëgjoj të gjitha partitë. Eurokomisari Fyle, më njoftoi personalisht dhe hollësisht për vizitën e tij të fundit këtu, dhe shpresoj se me atë që do të jem në vend, që do t’i dëgjoj të gjithë të involvuarit në krizën politike, do të kem ndikim pozitiv, por jo si gjykatës ose ndërmjetësues, për shkak se ky nuk është roli im, por ndikim pozitiv dhe konstruktiv që do të mundësojë të vendoset dialog dhe të fokusohemi në atë që duhet, e ajo është marrja e datës për negociatat për anëtarësim, që për është mua prioriteti kryesor”, tha Howit.

Ai nuk dëshiron që parakohe të vlerësojë se nëse është rrezikuar procesi i integrimit evropian në Maqedoni. Këtë do ta bëjë pas vizitës së vendit dhe bisedimet të cilat do t’i zhvillojë atje.

Përveç Richard Howitt-it, gjatë këtyre ditëve në Maqedoni pritet të arrijnë edhe eurodeputetë të tjerë me qëllim që të vendoset dialog politik midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button