Ahmeti vendos për Shkupin të garojë me Artan Grubin

Artan Grubi është zgjidhja e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për Shkupin. Kështu, siç mëson Alsat M, ka vendosur dje kreu i BDI-së. Edhe pse në kombinatorikat e ndryshme janë përmendur emra të tjerë si kandidatë të mundshëm për Shkupin, në fund, shefi aktual i kabinetit të Ahmetit, Grubi do të garojë për kreun e qytetit. 

Artan Grubi në këtë garë, siç mësojmë, nuk futet me propozim të asnjë dege të Shkupit, por vendimi është marrë nga vetë lideri i BDI-së, Ahmeti. Vendimi për nominimin e tij vjen pas vlerësimeve të BDI-së se ka gjasa që kandidati i tyre të hyjë në rundin e dytë në garën për kryetar të Shkupit, nëse LSDM-ja i bojkoton zgjedhjet lokale më 24 mars.

Përndryshe, Grubi nuk do të jetë kandidati i vetëm shqiptar për qytetin e Shkupit. PDSH-ja opozitare garon me deputetin aktual Bekim Fazliun, ndërsa partneri i koalicionit i BDI-së, VMRO DPMNE me kreun aktual të Shkupit Koce Trajanovski. LSDM-ja nëse nuk bojkoton zgjedhjet në këtë garë futet me deputetin aktual Jani Makraduli. 

Kandidatura e Aran Grubit për kreun e Shkupit nga radhët e BDI-së vjen vetëm pak ditë para 13 shkurtit, përvjetorit të ngjarjeve të Kalasë së Shkupit, ku ai si lider i OJQ-së “Zgjohu” ishte protagonist kryesor i incidentit në vitin 2011. /Alsat M

Lajme të ngjashme

Back to top button