Tetovë, të mos paguajnë ata që nuk pinë ujë

Tetovarët nuk duhet të japin para për ujin që nuk arrijnë ta shijojnë. Komuna e Tetovës ka dalë me një njoftim se qytetarët që kanë mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm do të lirohen nga pagesa e faturave të ujit.

Problemi i mungesës së ujit në qytetin rrëzë malit Sharr, i cili sipas gjitha të dhënave gjeografike ka burime të shumta të ujit, nuk është diçka e re. Banorët e disa lagjeve nuk kanë ujë as dimrit, kur sasia e reshjeve është dukshëm më e madhe. Për këtë ka shkruar një banor i Reçicës i cili në detaje sqaron problemin për lagjen e tij.

“Prej te ish-qendra për rehabilitim të minorenëve dhe deri te ish-tregu i kafshëve, rruga e Lubotenit dhe deri mbi lagjen e re janë mbi 10% e banorëve të Tetovës, taksa pagues, të cilëve u është shkurtuar e drejta  elementare e furnizimit me ujë të pijshëm.  Ajo pjesë e qytetit në 10-15 vitet e fundit asnjëherë nuk ka pasur ujë 24 orë, asnjëherë në këtë pjesë nuk ka pasur restrikcion të ujit për pije, pasi që nuk mund të ketë restrikcion të diçkaje që nuk ekziston!!! “ shkruan Mislim Hasipi, banor i revoltuar.

Realisht, problemi qëndron në ujësjellësin e vjetër 80 vite që kryetari i Komunës, Sadi Bexheti e ka premtuar mijëra herë se do ta rregullojë madje duke dalë me ide të shesë 5 lokale për ta rregulluar atë. Ujësjellësi ishte një nga premtimet e tij më të mëdha në periudhën parazgjedhore para 4 viteve.

Deri më sot, aty-diku ka pasur punime, por realisht, asgjë konkrete dhe e dobishme për qytetarët nuk ka dalë në pah. Ata kanë vazhduar të mos kenë ujë dhe madje të paguajnë fatura për ujin që nuk e kanë. 

Dje nga kjo Komunë vendosën ti lirojnë disa banorë nga pagesa, duke mos sqaruar pse vendimi i tillë vjen pikërisht në një periudhë parazgjedhore?

“Nga pagesa e faturave të ujit të pijshëm do të lirohen banorët e pjesës së epërme të lagjes “Drenovec” , banorët e Çarshisë së Epërme, banorët e lagjeve “Kolltuk”, “Potok”, “2 brestat” dhe pjesa e epërme e Reçicës së Vogël, deri në zgjidhjen e plotë të problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për të cilin Këshilli Komunal i Tetovës do të diskutojë në mbledhjen e ardhshme” shkruhet në komunikatën e Komunës së Tetovës.

Përderisa disa i liron nga pagesa, nga ana tjetër Komunës i nevojiten para për të paguar grevistët e NPK-së që dy javë protestojnë dhe nuk e pastrojnë qytetin në pjesët periferike. Andaj, Komuna doli edhe me një apel ndaj qytetarëve.

“Apel deri te banorët e të pjesëve tjera të qytetit, që nuk i kanë shlyer borxhet e ujit të pijshëm dhe mbeturinave, që një gjë të tillë ta bëjnë sa më parë, nga se vetëm në këtë mënyrë mundet që të gjithë bashkërisht të kontribuojmë për funksionim të papenguar dhe efikas të NPK “Tetova” shkruhet në komunikatën e komunës.

“Për të gjithë ata që nuk i shlyejnë borxhet nga kjo ndërmarrje bëjnë të ditur se do të pasojnë vendime sanksionuese” theksojnë nga kjo Komunë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button