Rufi Osmani pret ofertë nga BDI-ja dhe PDSH-ja për Strugën?

Rilindja Demokratike Kombëtare nuk do të ketë kandidat pretendentë për kryetar në komunën e Strugës mëson jozyrtarisht Portalb, nga burime të afërta të kësaj partie.

Mundësitë reale janë që RDK-ja në Strugë të garojë vetëm me listën për këshilltarë komunal, ku sipas gjitha gjasave këtë listë pritet ta kryesojë kryetari i degës së RDK-së në Strugë, Ardian Demiri.

Flitet që tashmë kryetari i kësaj partie Rufi Osmani pret ofertë për bashkëpunim nga partitë shqiptare BDI dhe PDSH, në garën për Strugën.

Kryetari i degës së RDK-së në Strugë Ardian Demiri thekson për Portalb se lideri i partisë Rufi Osmani është ai që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me mënyrën e garimit të RDK-së për Strugën dhe kjo do të ndodhë më së voni deri ditën e hënë.

“Nuk dua të komentoj thashethemet e ndryshme pasi nuk dua të spekuloj. Kryetari ynë Rufi Osmani e ka në dorë vendimin përfundimtar për Strugën duke pas parasysh se tashmë Struga është një rast i veçantë. Ajo që mund ta konfirmoj është se lista e këshilltarëve është pregatitur dhe se të hënën besoj se do të shpallet zyrtarisht edhe radhitje e emrave kandidatë”, përfundoi Ardian Demiri në prononcimin e tij për Portalb.mk 

Në fillim të shpalljes së kandidaturave për kryetar komunash, nga RDK-ja u përfol se në Strugë si kuadër i kësaj partie do të garojë biznesmeni Gajur Kaba, por siç duket nga partia e Rufi Osmanit tashmë kanë ndërruar mendje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button