Turpi i ndeshjeve në Maqedoni! Shqiptarët shënojnë gola dhe fyhen!

Ashtu si zakonisht në stadiumet e Maqedonisë gjatë evenimenteve sportive edhe mbrëmë në stadiumin “Filipi II” ku reprezentacioni i Maqedonisë në futboll u përball me Danimarkën, u manifestua elementi më negativ i mundshëm që mund të konsiderohet humbja e madhe përkrah fitores së kombëtares ndaj skuadrës së Danimarkës me rezultat 3:0.

Maqedonia fitoi në fushë por humbi në tribuna dhe atë humbje e shkaktuan fyerjet në baza etnike të tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve.

Edhe pse skuadra e Maqedonisë është ekipi i një shteti multietnik, ku luajnë futbollistë të etnive të ndryshme dhe kontribuojnë për rezultate pozitive, ashtu siç ndodhi edhe mbrëmë, kultura e tifozerisë akoma ngelet në nivele të padëshiruara.

Analistët dhe mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të njeriut vlerësojnë se kjo sjellje është pasqyrë e realitetit që po kalon vendi ynë, duke apeluar tek organet përgjegjëse që të bëjnë më shumë në interes të tolerancës dhe respektit ndaj njëri tjetrit.

“Ajo qe ndodh ne stadiume është refleks i asaj qe realisht është duke ndodhur në Republikën e Maqedonisë. Bashkëjetesa dhe bashkëqeverisja ekzistojnë vetëm në nivel të qeverisë respektivisht të partive politike në qeveri dhe asgjë nuk bëhet për arritjen e multikulturalizmit dhe bashkëjetesës në nivelet më të ulëta, konkretisht në popullatë. Qytetarët vetëm e manifestojnë animozitetin që gjendet tek qytetarët e thjeshtë dhe shfrytëzohet në situata të tilla si zgjedhjet dhe politikë në përgjithësi”, vlerëson ekspertja për të drejtat e njeriut Mirjana Najçevska.

Analisti Artan Sadiku vlerëson se ky fenomenn është shqetësues dhe i rrezikshëm përderisa nga organet e drejtësisë nuk merren masa parandaluese dhe dënime ndaj personave përgjegjës të këtyre veprimeve.

“Rastin ne veçanti nuk është një ngjarje specifike jashtë asaj qe veçmë njihet në Maqedoni si kulturë huliganesh. Në Maqedoni, këto veprime disa vite me radhë po kalojnë pa ndonjë masë ligjore dhe fajtorët asnjëherë nuk kanë dalë para drejtësisë, problemi është që fryma të tilla që promovohet gjatë ngjarjeve sportive, shumë lehtë transmetohet edhe në gjithë shoqërinë edhe ne sferën publike si ne autobus sheshe rruge dhe kjo nuk i shërben tolerancës dhe bashkëjetesës në vendin tonë‘, përfundon Sadiku në prononcmin e tij për Portalb.mk.

Bardhyl Jashari nga fondacioni “Metamorfozis”, qe ka realizuar nje sërë projektesh kundër gjuhës së urrejtjes vlerëson se këto veprime janë pasqyrim i perçarjes qe ekziston ne shoqëri dhe shpërthim i frustracioneve te akumuluara nga përditshmëria e politizuar dhe izolimi social.

“Me tragjike është se shumica prej tyre janë te rinj, te mbyllur dhe te izoluar brenda komunitetit te tyre, ne zonën e tyre te komforit, ku sistemi i vlerave ndërtohet me shume pak, apo aspak ne interaksion me grupe tjera etnike. Mungesa e interaksionit te mirfillitë e bën “tjetrin” te padëshiruar pasi është i panjohur. Ndërsa e panjohura shkakton frike e cila shëndrrohet ne urrejtje. Janë ndjenja irracionale, por indikator serioz për mungese  te kohezionit social. rrrjetet sociale dhe internete bëjnë qe urrejtja te shpërndahet me shpejt dhe te forcojë paragjykimet dhe antagonizmat mes grupeve te ndryshme” vlerëson Bardhyl Jashari nga ‘Metamorfozis’. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button