Rasti ‘Target-Fortesa’, dënime maksimale për Mijallkovin, Jankullovskën dhe disa anëtarë të DSK-së, kërkuan prokurorët

Sot në Gjykatën Penale, prokurorët Lençe Ristoska dhe Trajçe Pelivanov paraqitën fjalët përmbyllëse për rastin Target-Fortesa, gjegjësisht për përgjimet masive të paligjshme në DSK, njofton Portalb.mk.

Të akuzuarit në këtë rast janë ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Prokurori Pelivanov lexoi qindra të dëmtuar, të cilat ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa prokurorja Ristoska kujtoi se para këtij rasti, në të kaluarën, kishte edhe dy skandale të tjera të përgjimit, përfshirë atë nga fundi i vitit 2000.

“Atëkohë të dyshuarit u falën nga Presidenti i atëhershëm Branko Cërvenkovski, tha Ristoska.

Ajo më pas kujtoi se si u zbulua afera e fundit “Target-Fortesa”. Përmendi dëshmitarin Gjorgji Llazarevski, i cili i  pari dyshoi se po kryhej përgjimi i paligjshëm, ndërsa pastaj dyshimet e tij ia konfirmuan kolegët e tij Xvonko Kostovski dhe Sasho Trajkovski. Prokurorja shpjegoi në detaje se si dëshmitarët siguruan prova të përgjimit të paligjshëm në Drejtori, të cilat ia dorëzuan Zoran Verushevskit. Kjo u pasua nga operacioni “Puçi”, dhe përpjekja për të zhvendosur të gjithë fajin për përgjimin te dëshmitarët që ishin duke mbledhur prova, dhe lideri i atëhershëm i opozitës Zoran Zaev.

“Sidoqoftë, pyetja kryesore nuk është se si u zbulua përgjimi i paligjshëm, por sa zgjati ai”, tha prokurorja.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Seanca pararake e këtij rasti ishte më 26 janar ku dëshmoi eksperti Xvonko Koçovski, i cili tha se në momentin e shkatërrimit të sistemit të përgjimit Najs, vlera e tij ishte 1.4 milion euro.

Mbrojtja e të akuzuarve reagoi se marrja në pyetje e drejtpërdrejtë e këtij eksperti është precedent, pasi ai deklaratën e dha me propozim të gjykatës. Qëndrimi i prokurorisë ishte, se në lidhje me këtë çështje, është krijuar një praktikë gjyqësore në çështjen “Tanku”, dhe se nuk bëhet fjalë për precedent.

Mbrojtja e të akuzuarës Gordana Jankullovska, gjatë pyetjeve të saj, kërkoi sqarim nga eksperti Koçovski, pse nuk u bë asnjë analizë e vlerës së harduerit, softuerit dhe licencave të sistemit të përgjimit.

“Nuk kishte nevojë pasi ishte bërë nga kolegu i shkencave teknike. Unë jam ekspert në çështjet financiare, nuk kishte nevojë të ndahet sistemi në pjesë. Bëhet fjalë për një sistem të pandashëm, i lidhur”, tha Koçovski.

Në seancën paraprake, pra përpara asaj të 26 janarit, prokuroria paraqiti prova shtesë, me të cilat vërtetuan se është përgjuar në mënyrë të paligjshme DSK-së. Për të argumentuar këtë pretendim, prokuroria paraqiti analizë nga kompjuteri i konfiskuar i të akuzuarit Goran Grujoski, i cili aktualisht është në arrati.

Ndryshe ish-drejtori i akuzuar i DSK-së, Sasho Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Në listën e të akuzuarve është edhe komandanti i MPB-së, Nadica Nikoliq.

“Nëse dëshmitari Xvonko Kostovski i ka regjistruar bisedat në DSK dhe i ka vendosur në CD në Drejtori, ato CD kanë mund të krahasohen me CD-të në DSK nga masat speciale hetimore, por nuk ka diçka të tillë,” tha Mijallkov.

Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Më shumë rreth këtij rasti mund të lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button